Lajme

Roja Bregdetare e Venezuelës qëllon mbi varkën me emigrantë, vdes foshnja


Një foshnjë u vra dhe nëna e tij mbeti e plagosur nga ekipi i Komandës së Rojës Bregdetare të Venezuelës.

Kjo ngjarje e rëndë, sipas kryeministrit të Trinidad dhe Tobago-s, Keith Rowley, ka ndodhur të shtunën e 5 shkurtit.

Sipas tij, oficerët ishin munduar të qëllonin motorët e varkës, pasi i urdhëruan vazhdimisht që të ndalonin.

Ndër të tjera, ai ka shpjeguar se, “pasi ekipi i Komandës së Rojës Bregdetare e ka cilësuar ‘operacione sigurie’ që përfshinin trafikimin e qenieve njerëzore, ka vendosur të qëllojë”.

Ndërkaq, Venezuela ka kërkuar që ishujt-shtet Trinidad dhe Tobago të nisin një hetim të menjëhershëm për incidentin e ndodhur.

Në një njoftim për shtyp, ekipi i Komandës së Rojës Bregdetare tha se të shtënat ishin për “vetëmbrojtje” dhe kishin për qëllim të parandalonin përplasjen e varkës.

Zyrtarët e Trinidad-it kanë identifikuar foshnjën, Yaelvis Santoyo Sarabia, që vdiq në krahët e nënës, Darielvis Sarabia.

Sarabia ka marrë plagë me armë zjarri dhe është dërguar në spital. Ajo është në gjendje të qëndrueshme për jetën.

Menjëherë pas ngjarjes ka reaguar edhe Jean Gough, drejtori rajonal i UNICEF-it në Amerikën Latine dhe Karaibe.

“Asnjë fëmijë emigrant nuk duhet të vdesë kurrë, qoftë duke udhëtuar me prindërit e tij apo vetëm!”, ka thekuar ai.

Po ashtu, Gough tha se “asnjë nënë nuk dëshiron të rrezikojë jetën e fëmijëve të saj në një anije të vogël në thellësi të detit, përveç nëse nuk ka zgjidhje tjetër”.

Kryeministri i Trinidadit, Rowley, tha se kishte folur me zëvendëspresidenten e Venezuelës, Delcy Rodriguez.

Ai shprehu “ngushëllime në emrin e tij dhe të gjithë popullit të Trinidadit dhe Tobagos në lidhje me humbjen fatkeqe të jetës së foshnjës”.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i opozitës venezueliane, Juan Guaido, në një status në Twitter i përshkroi të shtënat si “të pajustifikuara” dhe se “qeveria e Trinidadit dhe Tobagos duhet të vendosë përgjegjësi dhe të bëjë drejtësi”.

Marrë nga Aljazeera, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore