Kosova

Rohde: Zbatimi i vendimit të Kushtetueses për tokën rreth Manastirit të Deçanit është vonuar


Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohd

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, që Manastirit të Deçanit të i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohd, përmes një postimi në Twitter, ka thënë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetues për Manastirin e Deçanit që është vonuar shumë.

Rohde përmes Twitter ka shkruar se përkrahë plotësisht deklaratën e Shefit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport lidhur me vendimin e Kushtetueses.

“Mbështetje e plotë për deklaratën e Davenport – Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është vonuar shumë”, ka shkruar Rohde.

Shef i Misionit të OSBE-së, Michael Davenport, në Kosovë të mërkurën në Interaktiv të KTV-së, është shprehur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duhet të zbatohet, dhe se e kupton se situata rreth Manastirit është e ndërlikuar e se interesat e Komunës po ashtu duhet të merren parasysh.

“OSBE-ja ka mandat që shtrihet përgjatë sferës publike, të sigurisë dhe demokratizimit, por gjithashtu shumë thelbësor edhe sundimi i ligjit. Dhe nëse ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi sipas pikëpamjes sonë që ai rregull duhet të zbatohet. Natyrisht, unë e njoh, ne e njohim situatën rreth Manastirit dhe Komunës që është e ndërlikuar”, ka thënë Davenport.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.

Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore