Kosova

Rohde thotë se Kosova është “histori suksesi”


Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka vlerësuar se 25 vjet pas çlirimit, Kosova vazhdon të jetë histori suksesi e Perëndimit.

Rohde, përmes një shkrimi në platformën ‘X’ ka thënë se Gjermania vazhdon të mbetet një nga partnerët më të afërta të Kosovës.

“Sot para 25 vitesh filloi misioni i KFOR-it të NATO-s. Për ta cituar ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lord Robertson: ‘Qëllimi ishte largimi i forcave të Millosheviqit, hyrja e NATO-s dhe kthimi i refugjatëve”.

“Misioni u krye. Kosova deklaroi Pavarësinë në vitin 2008 dhe është një histori suksesi. Gjermania është dhe mbetet ndër partnerët më të afërt të Kosovës”, ka shkruar ai.

Sot bëhen 25 vjet nga çlirimi i Kosovës – atëherë kur tankset britanike “Challenger” në rrugë tokësore dhe “Apache-t” amerikanë përmbi qiell, në kuadër të trupave paqeruajtëse të NATO-s, filluan marshimin në Kosovë.

Në këtë 25-vjetor, janë paraparë disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në sheshin qendror të Prishtinës.

Parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës do të nisë në orën 12:00 nga objekti i Qeverisë së Kosovës në sheshin “Ibrahim Rugova” deri te sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, ndërsa pritet të ekspozohen automjete ushtarake, pajisje e sisteme të ndryshme të armatimit.

Në orën 14:00 në Ferizaj do të zbulohet shtatorja e kryeministrit të atëhershëm britanik, Tony Blair, i cili për shqiptarët e Kosovës është më shumë se një ish-kryeministër i Britanisë së Madhe – ai është një prej heronjve të luftës së Kosovës dhe bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë.

Gjithashtu, tre krerët e shtetit – presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari – do të kenë pritje shtetërore për nder të 25-vjetorit të lirisë.

Kjo ceremoni pritet të nisë në orën 17:00, ndërsa nga ora 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në qendër të kryeqytetit do të ketë koncert festiv.

Ndryshe, megjithëse festohet 25 vjetori i çlirimit, kjo ditë nuk është festë zyrtare në Kosovë. Ligji për festat zyrtare, 12 qershorin e njeh vetëm si ditë memoriale, madje nuk e njeh as si ditë të lirisë apo çlirimit – kur nisi largimi i çizmes së fundit të ushtarëve jugosllavë nga Kosova – por si ditë të paqes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore