Kosova

Rohde përkujton ekipin e gazetarëve të revistës gjermane që u vranë një ditë pas çlirimit të Kosovës


Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, përkujtoi të enjten ekipin e gazetarëve të revistës gjermane Stern në përbërje prej gazetarit italian, Gabriel Grüner, fotoreporterit gjerman, Volker Krämer, dhe përkthyesit shqiptar, Shenoll Aliti, të cilët u vranë nga një mercenar rus në afërsi të Suharekës, një ditë pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

“Në ‘ditën e parë të paqes’, 25 vjet më parë, gazetarët Gabriel Grüner, Volker Krämer dhe përkthyesi i tyre Shenoll Aliti të revistës gjermane Stern janë vrarë në afërsi të Suharekës në Qafën e Duhlës. Sot, ne përkujtuam vdekjen e tyre bashkë me zyrtarë vendas, të afërm dhe kolegë gazetarë”, shkroi ambasadori Rohde në një postim në platformën “X” të enjten pasdite.

Kosova shënoi 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës – atëherë kur tankset britanike “Challenger” në rrugë tokësore dhe “Apache-t” amerikanë përmbi qiell, në kuadër të trupave paqeruajtëse të aleancës së NATO-s, filluan marshimin në Kosovë – pas fushatës ajrore të aleancës kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë, Serbi e Mal të Zi.

Ndryshe, një çerekshekulli pas përfundimit të luftës në Kosovë, pothuajse të gjitha rastet e gazetarëve – shqiptarë e serbë – të cilët janë rrëmbyer, vrarë apo zhdukur gjatë apo pas periudhës së luftës në Kosovë, mbeten ende të pazgjidhura. Asociacionet e gazetarëve në Kosovë dhe Serbi në vazhdimësi u bëjnë thirrje mekanizmave të drejtësisë që të hetohen e zbardhen rastet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore