Lajme

Rohde për djegien e veturave në Veri: Dhuna s’është kurrë opsion


Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.

Pas shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog, edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde ka reaguar pas djegieve të veturave me tabelat RKS në Veri të Kosovës.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Rhode është shprehur se dhuna nuk është asnjëherë opsion.

“Pajtohem plotësisht me deklaratën e Szunyogut. Dhuna nuk është kurrë opsion! Kam besim të plotë se autoritetet e Kosovës do t’i hetojnë rastet thellësisht dhe do t’i sjellin përgjegjësit para drejtësisë”, ka shkruar ai në Twitter.

Më 30 mars, në Zubin Potok u dogjën dy vetura me targa RKS.

Pronarët e të cilëve kishin thënë se i kanë regjistruar një javë më parë dhe dhe se në kohën e djegien ishin të parkuara poshtë shtëpive ku jetonin.

Ndërsa, më 31 mars janë djegur edhe tri vetura të tjera të qytetarëve të nacionalitetit të cilat po ashtu kishin targat me riregjistrimin RKS.

Raste të ngjashme kishte pasur edhe gjatë muajit nëntor dhe dhjetor të 2022.

Për të gjitha rastet nga policia ishte thënë se kishin ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kishin njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes.

Ilustrim.

Në fund të 2022, në veriun e Kosovës u rritën tensionet për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale të lëshuara nga Serbia t’i konvertonin ato në targa RKS.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë ngritën barrikada në veri.

Barrikadat u hoqën disa ditë më vonë pasi ish-policit Dejan Pantiç iu ndryshua masa e sigurisë, nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u pajtuan për çështjen e targave.

Kosova hoqi dorë nga veprimet që parashihte vendimi për riregjistrimin e targave, ndërkaq Serbia u pajtua se nuk do të lëshonte më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Nga institucionet e Kosovës akoma nuk është bërë e ditur se sa makina janë regjistruar me targat RKS.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjithnjë e më shumë qytetarët nga veriu janë duke u pajisur me targa RKS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore