Lajme

Rohde: Kosova duhet ta përgatisë draftstatutin e Asociacionit, një vizion nuk është draft


Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, ka kërkuar që Kosova ta përgatisë draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pasi sipas tij një vizion, si ai i paraqitur nga kryeministri Albin Kurti, nuk është draft.

“Është përgjigje e thjeshtë. Versioni më i mirë, drafti më i mirë për Kosovën, mund të hartohet nga vetë Kosova. Mirëpo një version nuk është një draft, kështu që na duhet një draft nga Kosova së shpejti që ta shohim se çfarë ide konkrete ka për Asociacionin”.

“Ky është obligimi i Kosovës që ta përshpejtojë procesin”, deklaroi ai.

Këtë deklaratë ambasadori gjerman e ka bërë pas takimit që ka zhvilluar me anëtarët e Komisionit parlamentar për punë të jashtme dhe diasporë, takim ky i cili është mbajtur me dyer të mbyllura.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.

Draft-vizioni, sipas Kurtit, do t’u ofronte pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësi për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë.

Ky dokument që prezantoi Kurti bazohet në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht në modelin e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci (SNV).

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në këtë takim është miratuar deklarata për Personat e Pagjetur dhe u njoftuan me draft-statutin e parë për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, e cila u prezantua nga Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit të këtij mekanizmi i udhëhequr nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiç.

Pas takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se drafti i statutit i prezantuar të martën në Bruksel nga ekipi në fjalë është i papranueshëm, meqë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës pasi prezanton qartësisht një dëshirë për Republika Srpska në Kosovë.

Mu për këtë arsye i pari i qeverisë ka thënë se Ekipi Menaxhues është dekomisionuar, pas propozimit të draftstatutit.

Prandaj, një ditë më pas, saktësisht më 3 maj ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Rohde për çështjen e “Visametricut”: S’kam koment

Pas vendimit të Gjykatës Komerciale që “Visametricut” t’i ndalohet ky veprim, kompani kjo e cila ofronte shërbime të autorizuara nga përfaqësitë gjermane në Kosovë për të trajtuar shërbimet e mbështetjes për aplikimin për viza, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është pyetur nga gazetarët lidhur me këtë çështje.

Rohde para gazetarëve refuzoi ta komentoj këtë çështje ai deklaroi se, “s’kam koment. Flisni me Visametricun”.

Këtë deklaratë ambasadori i Gjermanisë e bëri pas takimit me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, takim ky i cili u zhvillua me dyer të mbyllura.

Të martën e 9 majit, avokati Flamur Abdullahu kishte bëri të ditur se ka iniciuar në Gjykatën Komerciale rastin e operatorit ekonomik VisaMetric L.L.C që shërbimi postar në vlerë prej 30 eurosh të mos jetë obligativ për aplikantët për viza në Ambasadën Gjermane.

Kërkesë e tij ka qenë që qytetarëve t’u kthehen paratë për këtë shërbim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore