Lajme

Rizvanolli: Pas shqetësimeve të qytetarëve, kemi ndryshuar disa kritere për subvencionim të efiçencës së energjisë


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media ka bërë të ditur se janë ndryshuar disa kritere për qytetarët që duan të aplikojnë për subvencion të pajisjeve efiçente të energjisë.

Ky ndryshim vjen pas disa shqetësimeve të qytetarëve.

“Tani në thirrjen e dytë përveç kritereve që kanë qenë janë edhe ndryshimet në vijim, qytetarët që janë në skemën sociale, është rritur subvencioni për inventer nga 40% me maksimum 400 euro, deri në 60% të vlerës ose jo më shumë se 550 euro”, ka thënë Rizvanolli.

Për disa kategori qytetarët do të kenë mundësi që të aplikojnë me profaturë.

“Për stufat individuale me biomasë dhe për klimat inventer, këtyre kategorive do të mundësohet që të aplikojnë me profaturë. Jemi në komunikim me komunat dhe qendrat sociale, në mënyrë që qendrat për punë sociale të shohin mundësitë për t’u ofruar mbështetje qytetarëve gjatë aplikimit ne e-Kosova”.

Rizvanolli, ka sqaruar se “për nënat vetushqyese kemi paraparë subvencion më të lartë për stufat individuale me biomasë deri në 90% e vlerës investime jo më shumë se 560 euro”.

Rizvanolli: Nga viti i ardhshëm fillojmë subvencionimin për izolimet e kulmeve

Ajo ka paralajmëruar se nga viti tjetër do të fillojnë edhe subvencionimin edhe izolimet e kulmeve e ndërrimin e dyerve e dritareve.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Ne qysh nga viti në vijim do të fillojmë me skema më të mëdha të efiçencës së energjisë që përfshijnë termoizolime, izolime të kulmeve, ndërrim të dyerve dhe dritareve por edhe pajisje eficente për ngrohje siç kemi bërë sivjet”.

“Plani është që gjatë vitit tjetër 30 milionë euro së paku t’i investojmë në efiçencë në programe të reja, përveç programeve ekzistuese që janë dhjetëra miliona në programet e efiçencës në ndërtesa publike”, ka thënë Rizvanolli.

Ndërsa, afati i aplikimit në fazën e parë është i hapur nga 18 nëntori deri më 25 nëntor.

“Të zgjidhen pajisjet për dekorim”

Rizvanolli, ka apeluar tek qytetarët që për festat e fundvitit të zgjidhen pajisje të dekorimit që harxhojnë më pak.

“Komunat dhe qytetarët të kenë vëmendje dhe të mundohen sa më shumë që është e mundur që edhe kohëzgjatja edhe mënyra dhe pajisjet e dekorimit të jenë të tilla që shpenzojnë më pak dhe që ta kenë parasysh ndikimin në konsum dhe kosto të energjisë”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja bëri të ditur se nga thirrja e parë që është bërë me 6 tetor, kanë aplikuar 5 mijë e 992 qytetarë, prej të cilëve në fazën e dytë kanë aplikuar 2 mijë e 377 qytetarë.

“Do të finalizohen 2,228 marrëveshje, pra 2,228 qytetarë kanë përfituar, duke arritur vlerën prej 1,435,800 euro”.

Ndryshe, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar më 6 tetor masat për subvencionim të pajisjeve efiçente të energjisë për qytetarët, prej të cilave pretendohet se do t’ia kursejnë shtetit mbi 12 milionë euro për dimrin që po vjen.

Sipas saj, vlera e subvencionit do ta kapë shumën prej 6 milionë eurosh.

Njëri nga zotimet e Qeverisë së Kosovës kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike ishte se do të ofrojë 100 milionë euro për të subvencionuar mbulimin e një pjese të kostos për të gjithë konsumatorët.

47 milionë euro ishin ndarë për periudhën shkurt-gusht 2022.

Ndërsa për ta kuptuar më mirë diferencën në shumën e subvenciunuar nga Qeveria, KESCO, ka zhvilluar një kalkulator përmes së cilit qytetarët e Kosovës përveç shumës totale të faturës, do të shohin edhe vlerën e këtij subvencioni, e cila zbritet automatikisht nga faturimi i konsumatorëve.

Në faqen e krijuar nga KESCO, ky subvencionim llogaritet automatikisht, thjesht duke shënuar shifrën e konsumatorit që gjendet në pjesën e sipërme të faturës.

Kalkulimi mund të bëhet duke klikuar në linkun këtu, http://subsidy.kesco-energy.com.

Me 8 shkurt, me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, kishte marr vendim për shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore