Lajme

Rizvanolli: Mezi presim ta jetësojmë tranzicionin klimatik dhe energjitik gjermano-kosovar


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë pjesëmarrjes së saj në konferencën e dialogut të tranzicionit të energjisë në Berlin 2023 është takuar me ministren e shtetit të Gjermanisë, Anna Lührmann.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’ ajo ka thënë se është informuar rreth tranzicionit klimatik dhe energjetik gjermano-kosovar.

“E lumtur për marrjen e informacionit mbi partneritetin e parashikuar të Tranzicionit Klimatik dhe Energjitik Gjermano-Kosovar. Mezi presim ta sjellim në jetë”, ka shkruar Rizvanolli në Twitter.

Më 22 mars, Qeveria e Kosovës në mbledhje ka miratuar huazimin e 25.5 milionë euro nga kompania KfË, Frankfurt Am Main, për përmirësimin e sistemit energjetik.

“Kërkohet huazim prej 25.5 milionë euro nga KFË që më pas do të rihuazohet tek KOSST-i për realizimin që ka për qëllim përmirësimin e sistemit energjetik të transmetimit”, tha Kurti në këtë mbledhje.

Kurse ministri i Financave, Punës dhe Transfere, Hekuran Murati u shpreh se përmes kësaj marrëveshje do të përfshihen disa masa të rëndësishme.

“Me anë të kësaj marrëveshje, Qeveria e Kosovës do të marrë hua nga KfW 25.5 milionë euro shumë e cila më pas nënhuazohet tek KOSST-i në mënyrë që këto mjete të përdoren për përmirësimin e sistemit të transmisionit në Kosovë, më specifikisht do të përfshihen masat e rehabilitimit, zgjerimit dhe modernizimit të rrjetit të transmisionit si dhe shërbimet e tjera që janë të nevojshme për ekzekutimin e projektit”, deklaroi Murati.

Kosova është duke vazhduar të jetë në një tranzicion energjetik ku është duke u përballur me probleme elementare të energjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore