Familja

‘Rivaliteti i përjetshëm’, nuse-vjehërr


Çdo familje e ka një histori, e çdo histori e ka një tregim në brendi. Por të flasësh mbi raportin mes nuses dhe vjehrrës është kapitull i gjatë.

Jo më larg se më 11 prill 2021, krimi tronditi një familje shqiptare. Një 44-vjeçare goditi me mjet prerës vjehrrën e saj, duke i shkaktuar vdekjen. Ky rast bëri bujë të madhe.

Albanian Post (AP) kontaktoi me psikologen Brunilda Laboviti për të kuptuar diçka më shumë mbi raportin nuse-vjehërr. Sipas saj, “Ato janë në rivalitet të përjetshëm”.

“Mendoj se marrëdhënia nuse-vjehërr shkon deri në vrasje për shkak të shumë faktorëve: psikologjik, emocional dhe kulturor. Ndodh në vendet shumë të zhvilluara, por edhe tek ato më pak në zhvillim ose në tranzicion, siç është edhe Shqipëria. Një faktor që ndikon te kjo marrëdhënie është diferenca mes brezave”, vijon Brunilda.

Historia ka treguar se ky raport është mjaft kompleks. Këtë e dëshmojnë dhe teori të ndryshme.

Laboviti thotë se, “nuk mund të mos dallohet dashuria për nusen, nga ajo për nënën. E para është lidhje me natyrë tejet intime, e ngrohtë, e veçantë, gjithëpërfshirëse. Ndërsa, e dyta, është dashuri platonike, romantike, kryesisht në formën e kujdesit dhe respektit për të”.

Raporti i kësaj marrëdhënie në vende të ndryshme

Në Shqipëri, sipas saj, fëmijët djem brumosen me frymën dhe idenë se një ditë ata do të rriten dhe do të krijojnë familjen e tyre dhe të gjithë do të jetojnë “nën një çati”.

“Problemi i të jetuarit të dy kurorave nën një çati qëndron te fakti kur kjo bëhet për hir të traditës. Kjo mund të bjerë ndesh me dëshirat dhe planet që një familje e re thur. Mospranimi i një realiteti të cilin nuk e dëshiron, çon në krisje, apo akoma më keq në mosndërtimin e asnjëhershëm të marrëdhënies mes nuses e vjehrrës”, shprehet psikologia.

Në vendet e Perëndimit, prej vitesh praktikohet ideja se një person i moshës 18-vjeçare mund dhe duhet ta krijojë jetën e tij jashtë familjes ku është rritur.

Prindërit i rrisin fëmijët e tyre me këtë frymë, për t’i bërë ata të kuptojnë se çfarë do të thotë vërtet “të dalësh në jetë”, thekson ajo.

“Lufta” për territor midis nuse-vjehërr

Gratë janë jashtëzakonisht territoriale, shumë më tepër se burrat. E para nuk do të humbasë territorin që ka pasur, e dyta nuk do të humbasë territorin që ka fituar.

“Nëna kërkon të ketë diçka të pacenuar nga autoriteti i dikurshëm me djalin, djali kërkon pavarësi nga autoriteti i dikurshëm i nënës, nusja nga ana e vet, nuk pranon që të jetë në vartësi të ‘dy autoriteteve’, të burrit dhe të vjehrrës në të njëjtën kohë.

Kjo situatë është e ndërlikuar dhe mund të zgjidhet vetëm në rastin kur secili me sens mase luan ‘rolin’ e vet: nëna si nënë, nusja si nuse dhe djali si bir dhe bashkëshort”.

Roli i meshkujve si djalë dhe si bashkëshort

Meshkujt gjenden detyrimisht midis “djalit” që ka dashuri dhe respekt për nënën, dhe “burrit” që ka dashuri të natyrshme për gruan e vet.

Sipas psikologes, “Këto janë dy dashuri që ndryshojnë në formë dhe përmbajtje”.

“Secila prej tyre”, thotë ajo, “ka tipologjinë dhe ‘pistën’ e vet. Vetëm mashkulli që di të luajë në të njëjtën kohë ‘rolin e dyfishtë’, si djalë dhe si bashkëshort, është faktor thelbësor që siguron harmoninë dhe kohezionin e familjes.

Nëse ai është i njëanshëm dhe tejet asimetrik në dashurinë e tij të dyfishtë, balanca është e prishur dhe stabiliteti, i pamundur. Në këtë rast, marrëdhëniet humane bëhen inekzistente”.

Çdo marrëdhënie, përmbyll psikologia, ka një tendencë natyrale, një instinkt të vetëmbrojtjes që shoqërohet ndonjëherë dhe me agresivitetit.

Por, qëllimi? Të jetosh në harmoni edhe brenda një famillje patriarkale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore