Shqipëria

Rivalët e frikshëm të Shqipërisë në Euro 2024


Kombëtarja e futbollit e Shqipërisë është pozicionuar në Grupin B të UEFA Euro 2024, së bashku me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë. Nuk mund të kishte një short më të vështirë për kuqezinjtë, por nga ana tjetër është një mënyrë për të treguar veten.

Në Euro-n e dytë që kuqezinjtë marrin pjesë, pas asaj të 2016-ës, goglat nuk janë treguar shumë bujare. Megjithatë, në këtë fazë të turneut nuk ka skuadra të thjeshte apo të vështira.

Skuadra e Sylvinho-s do të luajë ndeshjen e parë ndaj Italisë më 15 qershor në stadiumin e “Signal Iduna Park” të Borussia Dortmund-it, ndërsa më 19 qershor do të përballet me Kroacinë në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.

Ndeshja e fundit e grupit do të jetë ajo ndaj Spanjës, që do të luhet më 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena”.

Shqipëria, sipas renditjes së FIFA-s, është skuadra më e dobët e Grupit B. Kuqezinjtë pozicionohen në vendin e 62 në botë dhe në renditjen e fundit kishin humbur tre vende. Kjo pavarësisht se renditja nuk tregon forcën e vërtetë të një skuadre, por fusha e blertë.

Sipas listës së fundit në kualifikuese, Shqipëria ka një vlerë rreth 82 mlionë euro. Kjo pa përfshirë Armando Brojën dhe Marash Kumbullën.

Megjithatë, pavarësisht se nuk ishte i gatshëm për ndeshjet kualifikuese, Broja është lojtari me vlerën më të lartë në treg te Shqipëria. Sulmuesi i Chelsea-t vlerësohet 28 milionë euro.

Pjesa kryesore e lojtarëve kuqezi luan në Serie A (8, së bashku me Kumbullën), Premier League (2, së bashku me Brojën) dhe La Liga (2), ndërsa pjesa tjetër aktivizohet jashtë “top 5” ligave kryesore evropiane.

Por, cilët janë kundërshtarët e kuqezinjëve dhe statistikat e tyre?

Spanja

Kombëtarja e Spanjës është një nga ekipet më të forta të futbollit në botë. Aktualisht renditet në vendin e tetë në listën e FIFA-s dhe ka një vlerë prej 814 milionë eurosh (sipas listës së ndeshjes së fundit në kualifikuese).

“Furia e Kuqe” mburret me tre tituj të Kampionatit Evropian, Euro 1964, 2008 dhe 2012, një Kupe Bote (2010) dhe Nations League (2023). Gjithashtu janë edhe një herë nënkampionë Evrope (1984).

Spanja drejtohet nga Luis de la Fuente, trajner i cili në CV-në e tij ka tituj të Nations League (2022-23), Euro U-21 2019 dhe Euro U-17 2015.

Në Kupën e Botës 2022, Spanja arriti deri në raundin e të 16-ve ku u eliminua nga Maroku. Ndërsa, në Euro 2020 (2021) ata arritën deri në gjysmëfinale ku u mundën nga Italia, kampione në fuqi.

Lojtarët e Kombëtares spanjolle aktivizohen të gjithë në pesë ligat kryesore evropiane, dhe me skuadra si Barcelona, Real Madrid, Atletico Madrid, Manchester City, PSG, Arsenal e shumë të tjera.

Mesfushori Rodi është lojtari më i vlefshëm i spanjollëve me një vlerë tregu prej 100 milionë eurosh. Lojtari i Manchester City-t është dhe një nga lojtarët më të mirë në rolin e tij, në mos më i miri.

Shqipëria dhe Spanja janë përballur tetë herë në të gjitha garat. Spanjollët numërojnë tetë fitore. Kuqezinjtë kanë pësuar 31 gola në këto ndeshje dhe kanë shënuar vetëm tre.

Spanja është gjithashtu skuadra që i ka shkaktuar Shqipërisë një nga humbjet më të thella në histori, 9-0 në kualifikueset e Euro 1992.

Ndeshja e fundit mes Spanjës dhe Shqipërisë ishte një miqësore më 26 mars 2022 në Barcelonë, ku vendasit fituan 2-1. Ferran Torres dhe Dani Olmo realizuan për skuadrën e Luis Enrique asokohe, teksa Myrto Uzuni shënoi për kuqezinjtë.

Italia

Ashtu si dhe Spanja, Italia është një nga kombëtaret më të forta në botën e futbollit. Të kaltrit aktualisht renditen një vend posht spanjollëve në listën e FIFA-s, pra të nëntët. Skuadra e tyre ka një vlerë prej 582 milionë eurosh (sipas listës së ndeshjes së fundit në kualifikuese).

Italia është kampionia në fuqi e Kampionatit Evropian pasi mundi Anglinë në “Wembley” në Euro 2020. Ata gjithashtu mburren me katër tituj të Kupës së Botës (1934, 1938, 1982, 2006) dhe një tjetër titull në Evropian (1968).

Gjithashtu italianët janë dy herë nënkampion Evrope (2000, 2012), dy herë nënkampion bote (1970, 1994) dhe një herë si vendi i tretë më i mirë në Botëror (1990).

64-vjeçari Luciano Spalleti është trajneri i Kombëtares se Italise. Ai është aktualisht kampioni në fuqi i Serie A, pasi drejtoi Napoli-n drejt titullit kampion sezonin e kaluar, ku u shpall dhe trajneri i vitit, para se të largohej nga posti i tij dhe më pas të zëvendësonte Roberto Mancini-n në kombëtare.

Spalletti është një trajnerë me shumë përvojë në futboll pasi ka drejtuar skuadra si Napoli, Inter, Roma, Zenit, Udinese, Sampdoria, Empoli etj. Në CV-në e tij përveç titullti të Serie A, janë dy Kupa të Italisë (Roma), një Superkupë e Italisë (Roma), dy kampionate të Rusisë (Zenit), një Kupë e Rusisë (Zenit), një Superkupë e Rusisë (Zenit) dhe një Serie C (Empoli).

Lojtarët e Italisë luajnë kryesisht në ligen vendase, Serie A, një nga pesë ligat më të forta në Evropë. Ata aktivizohen me skuadra si Juventus, Inter, Roma, Napoli, Fiorentina, Atalanta etj. Por, ka edhe lojtarë që vijnë nga skuadra të tjera të mëdha jashtë Italisë si Arsenal, Tottenham apo dhe PSG.

Nicolo Barella i Inter-it është lojtari më i vlefshëm te Italia me një vlerë prej 75 milionë eurosh. Pas mesfushorit vjen një tjetër lojtar i Inter-it, Alessandro Bastoni me 60 milionë euro. Megjithatë, ylli më i madh i Italisë është Federico Chiesa, sulmuesi i Juventus-it, me vlerë 45 milionë euro.

Italia dhe Shqipëria janë përballur katër herë në historinë e tyre dhe janë italianët që kanë triumfuar në të gjitha sfidat. Ata kanë realizuar shtatë gola, ndërsa kuqezinjtë kanë shënuar dy herë.

Ndeshja më e fundit mes Shqipërisë dhe Italisë ishte më 16 nëntor 2022 në “Air Albania” ku miqtë fituan 1-3 me golat e Giovanni di Lorenzo dhe Vincenzo Grifo (dy). Ardian Ismaili shënoi për kuqezinjtë.

Kroacia

Edhe Kroacia, ashtu si Spanja dhe Italia është një nga ekipet më të forta në botë. Ata renditen në vendin e 10 në listën e FIFA-s. Skuadra kroate vlen rreth 310 milionë euro (sipas listës së ndeshjes së fundit në kualifikuese).

Kroacia nuk ka asnjë titull në kompeticionet madhore të UEFA-s dhe FIFA-s, por është një nga ekipet që ka lënë shumë gjurmë në vitet e fundit.

Kroatët janë renditur si ekipi i tretë më i mirë në Kupën e Botës 2022. Ata janë renditur si nënkampion në Kupën e Botës 2018. Teksa kanë arritur gjithashtu vendin e tretë më të mirë në Botërorin e 1998.

Ecuria e tyre në Evropiane gjithashtu ka qenë në nivele të larta. Krocia ishte në çerekfinalet e Euro 1996, çerekfinalet e Euro 2008 dhe raundi i të 16-ve në Euro 2020.

Së fundmi kroatët arritën në finalen e Nations League, ku u mundën nga Spanja.

Në fakt, në një pjesë të madhe të historisë futbollistike të Kroacisë, vendi ka qenë pjesë e Jugosllavisë ku gjithashtu ka arritur rezultate fantastike, ndër të tjera dy finale në Kampionatet Evropiane (1960, 1968).

Zlatko Dalic është trajneri i Kroacisë. Ai është një emër i njohur në futbollin evropian dhe atë shqiptar. Në futbollin ndërkombetar ai ka qenë gjeniu në stol që dërgoi kroatët drejt majave të futbollit evropian dhe atij botëror.

Përsa i përketë njohjes së Dalic-it në Shqipëri, ai ka qenë trajner i Dinamo City-t në vitet 2008-2009. Me 57-vjeçarin në stol “nëndetësja blu” ka fituar titullin e parafundit, Superkupën e Shqipërisë në 2008.

Lojtarët e Koracisë luajne kryesisht në ligat më të forta evropiane dhe ata më të njohurit janë pjesë e skuadrave si Real Madrid, Mancehster City, Atalanta, Leipzig, Feyenoord, Ajax, Bayer Leverkusen, Sassuolo etj.

Me një vlerë në treg prej 80 milionë eurosh, qendërmbrojtësi Josko Gvardiol është lojtari më i vlefshëm në Kombëtaren kroate. 21-vjeçari i Manchester City-t është në fakt një nga talentet më të mëdhenj të futbollit botëror.

Megjithatë, ylli më i madh i Kroacisë mbetet kapiteni i tyre Luka Modric. Edhe pse në moshën 38-vjeçare, lojtari i Real Madrid-it ende qëndron stabël në formacionin e Kroacisë dhe ofron siguri në lojën e tyre.

Është per t’u habitur, por Shqipëria dhe Kroacia nuk kanë luajtur asnjë ndeshje me njëra-tjerën më parë. Përballja në Evropian pritet të jetë e para mes dy kombëtareve ballkanase.

Por, Shqipëria është përballur tetë herë me Jugosllavinë, ku ka marrë pesë humbje dhe tre barazime. Kuqezinjtë kanë shënuar gjashtë herë dhe kanë pësuar 15 gola.

Datat e ndeshjeve:

Kujtojmë se Euro 2024 do të nisë me 14 qershor dhe do të përfundoi një muaj më pas, më 14 korrik.

15 qershor

Spanjë vs Kroaci (Berlin)

Itali – Shqipëri (Dortmund)

19 qershor

Kroaci – Shqipëri (Hamburg)

20 qershor

Spanjë – Itali (Gelsenkirshen)

24 qershor

Kroaci – Itali (Leipzig)

Shqipëri – Spanjë (Dyseldorf)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore