Lajme

Riparimi i një automjeti elektrik mund të kushtojë më shumë se makinat me motor me djegie


Industria automobilistike pret që makinat elektrike të jenë më të lira për t’u riparuar se sa një automjet me një motor konvencional me djegie të brendshme.

Kjo, në planin afatgjatë.

Por të dhënat kanë nxjerrë se në kundërshtim me këtë pritje të përgjithshme, makinat elektrike mund të jenë dukshëm më të shtrenjta për t’u riparuar.

Makinat elektrike janë mekanikisht më të thjeshta se makinat me motor me djegie të brendshme pasi kanë më pak pjesë lëvizëse.

Dhe nuk ka vaj motori që të jetë nën presion, të qarkullojë, të ftohet, të riqarkullohet, të mbushet herë pas here dhe të ndryshohet kur ndotet.

Sipas kësaj rrjedhe, mungesa e ndryshimit të vajit të motorit duhet të nënkuptojë kosto më të ulëta të mirëmbajtjes.

Por riparimet e përplasjeve mund të jenë një histori tjetër.

Sipas një studimi të fundit nga CCC Intelligent Solutions Inc., modeli mesatar i një makine elektrike me probleme në pjesën e përparme mund të kushtojë deri në katër mijë dollarë për t’u rregulluar.

Çka është gati 27 për qind më shumë se mesatarja për modelet afërsisht të krahasueshme jo-elektrike.

Mirëpo, këto rezultate mund të mos jenë relevante.

Madhësitë e kampionit mund të jenë shumë të vogla dhe rritja e përqindjes së makinave elektrike mund të jetë shumë e hershme, për të nxjerrë përfundime të qëndrueshme nga të dhënat që janë në dispozicion deri më tani.

Të paktën e këtij mendimi është Susanna Gotsch, analiste e industrisë në CCC.

Për të, sfida qëndron në krahasimin me të ngjashmet.

Markat kanë filluar të nxjerrin ekuivalentët e makinave elektrike me modelet me djegie të brendshme, por shumica e automjeteve elektrike në rrugët e SHBA-ve janë Teslas dhe nuk ka Tesla me djegie për t’u krahasuar.

Ka disa faktorë që janë të rëndësishëm për kostot e riparimit të automjeteve elektrike kundrejt kostove të riparimit të makinave me motor me djegie.

Sipas CCC-së, objektet e riparimit po bëjnë investime të konsiderueshme në pajisje dhe trajnime të reja, për të punuar me makinat elektrike. Por këto kosto ata do t’jua kalojnë konsumatorëve.

Po ashtu riparimet e automjeteve elektrike mund të zgjasin më shumë, derisa teknikët të mësohen me rutinën e re.

Nga ana tjetër, paketat e baterive i bëjnë makinat elektrike më të rënda se automjetet me motor me djegie me madhësi të ngjashme.

Çka nënkupton se përplasen me vrull më të madh dhe se përdorin më shumë materiale të shtrenjta, të lehta dhe me forcë të lartë për të provuar dhe kompensuar peshën e baterisë.

Këto materiale janë gjithashtu të shtrenjta për t’u zëvendësuar.

Të gjitha automjetet po bëhen më komplekse për sa i përket veçorive të teknologjisë së lartë dhe elektronikës shumë më të sofistikuar që është e shtrenjtë për t’u zëvendësuar.

Këto veçori janë aq komplekse saqë shpesh është e pamundur të riparohen në një mënyrë që garanton se ato janë po aq të sigurta sa instalimi origjinal.

Prandaj dhe mund të duhet të zëvendësohen tërësisht.

Marrë nga “ Forbes”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore