Shqipëria

Rindërtimi, Rama dorëzon 112 apartamente në Valias


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasditen e 19 prillit ka dorëzuar çelësat për 112 apartamente të reja të bllokut të parë në Valias, Kamëz, si pjesë e procesit të rindërtimit pas shkatërrimit të tyre nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Çelim dyert për një pjesë të konsiderueshme të familjeve që po strehohen në lagje të re, së shpejti edhe për pjesën tjetër”, tha Rama në fjalën e tij.

Me Ramën i pranishëm ishte dhe zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, njëkohësisht dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin.

Kreu i qeverisë bëri me dije se, në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë Kamëz, po punohet për implementimin e projekteve të ndryshme, si parqe për fëmijët, kënde sportive për vajzat dhe djemtë, si dhe infrastrukturë për gjyshërit.

“Ajo që është kryesorja është që të gjitha këto apartamente janë tuajat, janë falas, janë pronë e patundshme e familjes suaj”, vijoi Rama në fjalën e tij.

Sakaq, ai nuk i kurseu batutat me banorët e kësaj zone sa u përket pikëpamjeve partiake.

“Kjo vlen për të gjithë ju, edhe për shumicën që janë demokratë që duken katër orë larg. Por nuk humbni ndonjë gjë që të qeshni me gjithë zemër se shtëpi po merrni nuk po merrni ndonjë shqelm të dilnit nga shtëpia. Nuk është faji im që e prisnit nga tjetërkush dhe ua bëri tjetërkush”, ravijëzoi kryeministri shqiptar.

Numri një i qeverisë vuri në dukje mbështetjen që kabineti i tij ia dha popullit shqiptar në kohë të vështira.

“Për ju demokratët e Kamzës paska qenë kjo botë, ju ‘vu’ kundër, ne ‘vu’ kopshte ‘vu’ çerdhe, ‘vu’ shtëpia. Ju me gurë, ne me bukë. Të them të drejtën, nuk na vjen keq se gurët tuaj na bëjnë më te fortë dhe juve buka jonë u bën më të fortë, të dy palët ecim bashkë”, ishte mesazhi i Ramës drejtuar banorëve.

Sipas kryeministrit, procesi i rindërtimit është krijuar për të ndihmuar të gjithë familjet që u prekën nga tërmeti fatal i 26 nëntorit.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të pakthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu, pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën dhe disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore