Lajme

Rikthehen bisedimet Ukrainë-Rusi, takimi zhvillohet jo fizikisht


Raundi i radhës i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë do të rikthehet të hënën e 14 marsit, por ndryshe nga herët e tjera, takimi do të zhvillohet online dhe jo fizikisht.

Lajmin e ka pohuar edhe zëdhënësi për shtyp i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një prononcim për median shtetërore ruse TASS.

“Po, takimi do të zhvillohet nesër dhe do të jetë online”, ka vërtetuar ai për TASS.

Zëdhënësi për shtyp i Kremlinit, Dmitry Peskov

Teksa, nuk dihet ende nëse palët do të konfirmojnë personat pjesëmarrës në takim apo do të ketë emra të ndryshuar.

Gjithashtu, nuk dihet ende nëse do të ketë një mediator ndërmjetës mes palëve, duke qenë se takimi do të zhvillohet në prani jo fizike në këtë rast.

Një konfirmim tjetër ka ardhur edhe nga Presidenca e Ukrainës, nga ku vihet në pah fakti se tratativat mes Kievit dhe Moskës nuk kanë reshtur kurrë dhe bisedime online ka pasur gjatë gjithë kohës.

Megjithatë, për kreun e diplomacisë ukrainase, Dmytro Kuleba, duket se nuk ka shumë shpresë për gjetjen e zgjidhjeje përmes dialogut. Të paktën, këtë ka lënë ai të kuptohet ditët e shkuara në konferenca të ndryshme ku ka marrë pjesë.

Pavarësisht kësaj, ai ka theksuar se ka shumë rëndësi që korridoret e komunikimit të mbahen hapur.

Rrjedha e takimeve

Ky pritet të jetë takimi i katërt direkt mes palëve.

Në tre të parët, nuk është arritur rezultat i konsiderueshëm sa i përket bisedimeve, ku fokus kanë qenë armëpushimet.

Në tryezën e dytë, u vendos pikërisht për hapjen e korridoreve humanitare dhe kalimin e civilëve. Mirëpo, sipas autoriteteve ukrainase, kjo gjë nuk u respektua nga Moska.

Tryeza e bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë

Po e njëjta situatë ndodhi edhe në takimin e tretë.

Përpjekje ka pasur edhe nga ndërkombëtarët, për të qenë ndërmjetës të Zelenskyt dhe Putinit dhe të bëhet që këta të dy, të kenë një takim kokë më kokë për të gjetur zgjidhjen.

Megjithatë, si kryeministri izraelit, Naftali Bennett, si Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nuk kanë korrur shumë sukses me këtë gjë.

Tashmë në takimin e katërt online, pritet të shihet se cili do të jetë objekti kryesor i trajtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore