Kosova

Rezoluta për Srebrenicën – vulë për krimet e Serbisë në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë


Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mirëpriti miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB), duke e cilësuar vulë për krimet e Serbisë gjatë luftërave ballkanike të shekullit të kaluar në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci e Kosovë.

“LDK-ja shpreh përkrahjen e plotë dhe të palëkundur për këtë rezolutë, sepse është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe përkujtimit të gjenocidit së Srebrenicës si një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit në historinë moderne”, theksoi nëpërmjet një kumtese partia më e vjetër parlamentare.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të enjten e 23 majit rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë – rajon në lindje të Bosnje e Hercegovinës, ku forcat serbe vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë myslimanë në vitin 1995.

“LDK vlerëson lart përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar – sidomos Gjermanisë dhe Ruandës si propozuese të rezolutës – për të dënuar dhe përkujtuar këtë akt gjenocidi, dhe rithekson se drejtësia dhe e vërteta janë themelet e paqes dhe stabilitetit në rajon”, u tha ndër të tjera në deklaratë.

Rezoluta për Srebrenicën kaloi me 84 vota në favor, kundër 19 dhe 68 abstenime. Rezoluta për Srebrenicën që u miratua mes kundërshtimit të ashpër të presidentitet serb, dënon mohimin e gjenocidit të kryer nga serbët, përkundër se në rezolutë nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska.

E përveç Serbisë, vendet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Kroacia – votuan në favor të rezolutës së hartuar nga Gjermania e Ruanda. Prej vendeve të Bashkimit Evropian (BE), kundër votoi vetëm Hungaria, ndërsa abstenuan Greqia, Sllovakia dhe Qipro – mosnjohëse të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore