Shqipëria

Reshje shiu dhe dëbore në Shqipëri, Balla apel qytetarëve: Qarkulloni me kujdes


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar sa ju përket reshjeve të cilat kanë përfshirë Shqipërinë, gjatë kësaj të diele të 10 dhjetorit.

“Ndërsa reshjet e dëborës dhe të shiut vijojnë Policia e Shtetit, Autoriteti Rrugor dhe njësitë e qeverisjes vendore janë në krye të detyrës, nga Boga, Vermoshi, Qafë Murriza, në rrugën e Arbrit, deri në Qafë Muzinë në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë etj”, shkruan ai.

Më tej ai bëri apel që të qarkullohet me kujdes dhe “ulni shpejtësinë, jo vetëm në akset ku ka reshje dëbore por edhe në akset e tjera rrugore, pasi lagështira në rrugë është burim për përfshirje në ngjarje rrugore”.

Më herët, Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një postimi në median sociale Facebook ka bërë me dije se reshje shiu me intensitet të ulët kanë përshkuar vendin pa sjellë probleme në akset nacionale.

Në Korçë-Dardhë, në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë kanë filluar reshjet e dëborës me intensitet mesatar.

Bëhet me dije se mjetet borëpastruse dhe punëtorët e mirëmbajtjes janë në terren dhe kanë vijuar punën pa ndërprerje.

“Rrugët janë të pastruara nga dëbora dhe qarkullimi vijon pa problem. Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”.

ARRSH: Reshjet e shiut dhe borës kanë përshkuar vendin pa sjellë probleme në akset nacionale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore