Shqipëria

Reshje intensive në Shqipëri, si paraqitet situata


Reshjet intensive të shiut në Shqipëri kanë vënë në gatishmëri që prej orëve të mbrëmjes së 19 nëntorit autoritetet shqiptare.

Kjo, pasi parashikohet një situatë hidrometerologjike e përkeqësuar në të gjithë territorin.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile ngriti fillimisht alarmin për përmbytje në pesë qarqe të vendit.

Bëhet fjalë për qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.

Sipas autoriteteve, reshjet intensive mund të sjellin vërshime të përrenjve dhe lumenjve të vegjël dhe përmbytje në zonat urbane.

Kjo, duke marrë në analizë modelet e fundit të hartave meteorologjike.

Ministria dhe agjencia i bënë thirrje gjithashtu pushtetit vendor që të marrë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave.

“Ne do të jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjitha situatave që mund të krijohen, duke garantuar ndihmë të menjëhershme në çdo rast emergjence”, theksoi njoftimi zyrtar i institucionit.

ARRSH

Ndërkaq, Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaroi se reshjet me intensitet të cilat kanë përshkuar të gjithë vendin, nuk kanë bllokuar qarkullimin në akset kombëtare.

Sipas njoftimit zyrtar, autoriteti bën me dije se ka pasur rënie të inerteve në trup të rrugës më të shpeshta në Rajonin Verior, dhe pemë të këptura, si në Vlorë-Orikum të cilat janë pastruar menjëherë.

“Në aksin Bajram Curri-Valbonë ka pasur rënie gurësh dhe inertesh, qarkullimi për momentin kryhet me një korsi”, paralajmëron ARRSH-ja.

Përmbytje

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi zbuloi zonën ku janë shfaqur problematikat më të theksuara deri më tani pas reshjeve intensive të shiut që kanë përfshirë të gjithë vendin.

“Në bashkinë e Vaut të Dejës paraqitet situata më problematike, ka dalë lumi Gjadër nga shtrati dhe ka dëmtuar infrastrukturën rrugore përreth. Autoritetet janë përgatitur për të bërë evakuime në këtë zonë”, theksoi Peleshi.

Peleshi ka bërë me dije të dhënat zyrtare nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Në qarkun e Lezhës, në zonën Kurbin, është regjistruar rreth 15 mm shi, në Bregun e Matës, rreth 20 mm shi, në zonën e Zadrimës, rreth 130 mm shi (dhe ka përmbytje në zona të ulëta), ndërsa në ish-kënetën Torovicë janë përmbytur rreth 500 hektarë.

Në qarkun e Shkodrës është regjistruar 190 mm shi, ndërsa në Kukës rreth 14 mm shi në 24 orët e fundit.

Bashkia e Fushë-Arrëzit ka një situatë gjithashtu problematike, pasi në rrugët rurale Qafë-Mali; Iballë; Blerim dhe Fierzë janë raportuar dëmtime dhe shkëputje të energjisë elektrike.

Ndërsa në bashkinë Malësi e Madhe ka dalë nga shtrati përroi i Thatë në fshatin Kamicë dhe uji ka depërtuar në dy banesa.

Deri më tani, garantoi zyrtari shqiptar, nuk ka situata serioze dhe autoritetet janë në gatishmëri.

Evakuime

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se autoritetet kanë kryer në terren vetëm tre evakuime të lokalizuara në Malësinë e Madhe.

“Kemi pasur tre evakuime në Malësi të Madhe. Në Bërdicë forcat e armatosura për ndihmojmë banorët për të kaluar”, zbuloi ministri.

Zyrtari vizitoi zonën e Gjadrit në Lezhë, së bashku me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.

“Zona e Lezhës dhe Durrësit do të ketë intensitetin më të lartë të reshjeve ndaj dhe jemi sot këtu”, u shpreh Peleshi.

Sipas zyrtarit shqiptar, të gjitha bashkitë, të paktën ato në zonat me reshjet më intensive të këtyre ditëve, kanë bërë një punë shumë të mirë me kanalet kulluese.

“Sapo reshjet pushojnë, uji kullon dhe liron ato zonat e pushtuara nga uji”, vëren ministri.

Ai ravijëzoi se autoritetet janë në gatishmëri në të gjithë Shqipërinë.

Policia

Policia e Shtetit ka ngritur grupe drejtimi në të gjitha qarqet për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve nga moti i keq me reshje shiu të dendura.

Për këtë janë angazhuar shërbimet e Policisë Rrugore, ato të Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Njoftimi zyrtar i autoriteteve bën me dije se po mbahen kontakte me pushtetin vendor dhe me firmat kontraktore.

Kjo, për pastrimin e atyre segmenteve në të cilat ka rënie inertesh.

“Të gjithë inspektorët e Policisë në zona ndodhen në zonat e tyre dhe janë në kontakt me administratorët e njësive administrative dhe me kryepleqtë e fshatrave, për t’iu ardhur në ndihmë në rast nevoje”, thekson policia.

Sa i takon vështirësisë së qarkullimit të automjeteve, Policia Rrugore ka rritur prezencën në rrugë dhe monitorimet me mjetet inteligjente, në të gjithë vendin.

Një apel, autoritetet, e patën edhe për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve.

Kjo, që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore dhe të moderojnë shpejtësinë, pasi në disa akse rrugore ka prezencë të ujit në rrugë dhe rënie inertesh.

OSHEE

Moti i keq me shkarkime atmosferike solli probleme në linjën 35kV Shkodër -Velipojë.

Grupet e njësisë Tensioni i Lartë pranë OSSH-së punuan gjatë natës dhe në 00:12 vendosën në funksion rrjetin elektrik.

Kjo, duke rikthyer furnizimin me energji elektrike të nënstacioneve Dajç, Trush2, Cas dhe hidrovorin Vilu.

Portet

Situata e përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për datat 19-20-21-22 nëntor 2022 parashikohet që lartësia e dallgëve të shkojë nga 1.80 deri 3.50 metra.

“Mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda Gjirit të Vlorës të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuara dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre”, shkruhet në njoftimin zyrtar.

Autoritetet njoftojnë të gjithë drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe të merren masat për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë këtyre ditëve.

“Anijet e transportit ndërkombëtar detar vazhdojnë të operojnë normalisht”, vijon njoftimi.

Autoriteti Portual i Durrësit njoftoi më herët të gjithë pasagjerët që kanë rezervuar biletat për të lundruar drejt Barit se për shkak të kushteve të vështira të motit, nisja nga porti do të bëhet me disa orë vonesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore