Shqipëria

“Rënie apo dyfishim”, çfarë ndodhi me Investimet Direkte Amerikane në Shqipëri


Një raport i publikuar pak ditë më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) cilësoi se Shqipëria mbetej një vend i vështirë për të bërë biznes.

Bëhej fjalë për deklaratën e klimës së investimeve për vitin 2023 në Shqipëri.

Sakaq, në brendësinë e tij përditësoheshin edhe shifrat e Investimeve Direkte (IHD) të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.

Në vitin 2022, pozicioni i investimeve direkte të SHBA-ve në Shqipëri (jashtë vendit) ishte minus 69.0 milionë dollarë, një rënie prej 20.7 për qind nga viti 2021.

Kështu theksonte Byroja e Analizës Ekonomike në Departamentin Amerikan të Tregtisë.

Por statistika bie ndesh me atë që publikoi në muajin prill Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri.

Ajo zbuloi se gjatë dy viteve të fundit investimet e SHBA-ve në vendin tonë ishin më shumë se dyfishuar, pa zbuluar detaje të tjera nga shifrat e publikuara.

Në tërësi, investimet e huaja direkte nga kompanitë amerikane, ishin rritur me dy herë e gjysmë në dy vitet e fundit, në bazë të treguesit të Dhomës.

Më konkretisht, stoku i investimeve në fund të vitit 2020, ka qenë prej 89 milionë eurosh.

Më pas, në fund të vitit 2021, ai kapi vlerën e 161 milionë eurove, duke rakorduar edhe me Open Data Albania.

Ndërsa, në fund të 2022-shit, stoku i investimeve të huaja direkte amerikane, kapi vlerën e 221 milionë eurove.

Pra, duke treguar për një rritje të ndjeshme jo vetëm në krahasim me vitin pandemik 2020, por edhe krahasimisht mes viteve 2021-2022.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri dhe Ambasada Amerikane në Tiranë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment nga Albanian Post.

Kush fshihet pas dyfishimit të “investimeve” amerikane në Shqipëri

Investimet e mundshme

Kompanitë “Excelerate Energy Inc.” dhe “Bechtel” janë ndër emrat prestigjozë të përafruar kohët e fundit nga autoritetet shqiptare lidhur me projekte energjetike por ata ende nuk kanë investuar në Shqipëri.

Drejtori i Përgjithshëm i “Excelerate”, Steven Kobos, në një intervistë për “Bloomberg” zbuloi se kompania e tij pritet të furnizojë termocentralet lundruese në Shqipëri.

“Është një projekt i mirë energjetik për Shqipërinë”, u shpreh fillimisht miliarderi i naftës.

Referuar marrëveshjes për centralet lundruese, Kobos shpreson që ajo do të çojë në mundësinë për të ofruar gaz natyror dhe për të shitur LNG-në në Evropë.

“Excelerate” do të sigurojë anije që do të gjenerojnë energji elektrike dhe do të forcojnë rrjetin në Shqipëri.

Njëkohësisht, kompania po punon me “Exxon Mobil Corp.” për të zhvilluar një projekt të LNG-në-energjisë në portin shqiptar të Vlorës.

“Excelerate” grumbulloi 384 milionë dollarë në një ofertë publike fillestare gjatë 12 prillit të vitit 2022 dhe sipas Bloomberg “një pjesë e të ardhurave planifikohet të përdoret për projektin e Vlorës”.

Në korrik të vitit të kaluar u bë i ditur se kompania private bullgare “Overgas” po kërkon të blejë LNG (Gaz natyral i lëngshëm) të rigazifikuar pikërisht nga terminali i planifikuar i “Excelerate Energy” në Vlorë.

Kjo, sipas një marrëveshjeje të re të zbuluar të hënën nga “LNG Prime”.

Të dyja firmat nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, në Sofje më 14 korrik.

“Excelerate Energy” sqaroi se kjo marrëveshje përfshin shitjen e LNG-së të rigazifikuar në rrjedhën e poshtme të terminalit të Vlorës.

Sipas këtij dakordësimi, të dyja firmat do të hyjnë në një negociatë që Overgas të blejë deri në 1 miliard metër kub LNG të rigazifikuar çdo vit për dhjetë vjet nga “Excelerate” nëpërmjet terminalit dhe tubacionit të propozuar Vlorë-Fier.

Por, fillimi i punës së TEC-it është parashikuar brenda këtij viti.

Bechtel

Zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri me dije se në nëntor të vitit 2023 do të hapet kantieri për HEC-in e Skavicës.

Projekti vlerësohet të kushtojë rreth gjysmë miliardë euro gjatë pesë viteve të ndërtimit.

Puna përgatitore për atë që do të jetë projekti më i madh i ndërtimit në Shqipëri që nga rënia e komunizmit në 1991, vjen ndërsa rajoni i Ballkanit Perëndimor – krahas Evropës dhe Perëndimit – përpiqet të reduktojë varësinë e tij nga importet e gazit rus.

Diga është parashikuar të rrisë prodhimin vendas të energjisë së Shqipërisë me 20 për qind, me shpresën se do ta transformojë vendin në një eksportues të energjisë së pastër.

Bechtel, kompania më e madhe e ndërtimit në SHBA, është punësuar nga Qeveria shqiptare për të kryer studime dhe për të bërë propozime për digën, e cila do të jetë në pronësi publike.

Kompania me bazë në Virxhinia ishte njëra nga një konsorcium kompanish që ndërtuan Digën Hoover në vitet 1930 në kufirin midis Nevadës dhe Arizonës.

Skavica do të jetë një digë 210 MW dhe do të optimizojë prodhimin në digat e tjera.

Faza e parë e nisjes së punimëve për realizimin e projektit – studimin gjeoteknik, rrugët paraprake të ndërtimit dhe përfundimin e vlerësimit social – nisi më 2 tetor me prezencën e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ambasadoren amerikane Yuri Kim.

“Bechtel” e nënshkroi kontratën me ministren Balluku, më 5 korrik.

Gjatë çeljes së punimeve u bë me dije se kjo fazë vlerësohet të përfundojë në nëntor të vitit 2022.

Ndërsa ndërtimi i uzinës pritet të zgjasë rreth katër vjet. Në fazën e dytë do të fillojë puna për ndërtimin e HEC-it.

Këshilli i Ministrave më 4 mars miratoi projektligjin, sipas të cilit kompanisë “Bechtel” iu dha autorizimi për të projektuar dhe ndërtuar hidrocentralin e parë të kaskadës së Drinit.

Ky projekt mori dritën jeshile vitin e kaluar, më 3 tetor, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e projektit.

Kompani të tjera
Firma e njohur e ndërtimit amerikane “Hill International” do të fitonte në vitin 2016 një kontratë nga TechnipetrolHellas.a, filial ky i kompanisë TechnipS.a, për të mundësuar mbështetjen e një projekti menaxhimi në ndërtimin e gazsjellësit TAP.

“Ne mendojmë se përfshirja jonë në këtë projekt, që do të japë një ndikim të madh në mundësimin e gazit në Europën Jugore, ka rëndësi të madhe”, deklaronte asokohe Raouf S. Ghali, shef i zyrës operative të kompanisë Hill International.

Kjo kompani amerikane, me 100 zyra në të gjithë botën, do të asistonte Technip në këtë projekt, sa i përket menaxhimit dhe përpilimit të programit për të gjithë zinxhirin e ndërtimit, transportimit, mjedisit, energjisë etj.

Lockheed Martin Corp. do të nënshkruante në vitin e largët 2003 një kontratë prej 32 milionë dollarësh për të modernizuar sistemin kombëtar të hapësirës ajrore të Shqipërisë.

Kjo ishte kontrata më e madhe që i jepej një kompanie amerikane nga Drejtoria e Përgjithshme Shqiptare e Aviacionit Civil dhe projekti i parë industrial i qeverisë me financim komercial, vërente kompania.

Kontrata u shpall më 9 janar në një pritje të mbajtur në Ambasadën Shqiptare në Washington.

17 vite më pas Ministria e Mbrojtjes dhe gjigandi i industrisë ushtarake amerikane do të nënshkruanin një marrëveshje për menaxhimin e Sistemit të Integruar të Mbikëqyrjes Detare (SIVHD).

Në prani të ministres asokohe të Mbrojtjes Olta Xhaçka, kontrata do të nënshkruhej nga zëvendës shefi i Forcave Detare, kapiten Artur Meçollari dhe përfaqësuesi i kompanisë Lockheed Martin, Michael Stoner.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore