Pajisje

Rënia më e madhe e shitjeve të Apple-it që nga viti 2019


Në fund të vitit 2022, shitjet e kompanisë Apple kanë patur rënie pasi blerësit – të shtrënguar nga rritja e kostos së jetesës – shkurtuan blerjet e tyre.

Shitjet, në tre muajt deri në dhjetor, ranë me pesë për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Dhe është rënia më e madhe që nga viti 2019 dhe më e keqe se sa pritej.

Njoftimi ka ardhur pasi shumë firma paralajmërojnë për një ngadalësim të mprehtë ekonomik, veçanërisht në sektorin e teknologjisë që lulëzoi gjatë pandemisë.

Shefi Tim Cook ka argumentuar se firma po lundronte në një “mjedis sfidues”.

Ai fajësoi për rënien e shitjeve mungesën e furnizimit për shkak të kufizimeve të COVID-it në Kinë – ku prodhohen telefonat – dhe një dollar të fortë, si dhe dobësinë më të gjerë ekonomike që rrjedh nga rritja e çmimeve, lufta në Ukrainë dhe efektet e vazhdueshme nga pandemia.

“Teksa bota vazhdon të përballet me rrethana të paprecedenta, e dimë se Apple-i nuk është imun ndaj tyre”, ka thënë ai.

Referuar kompanisë, rëniet e shitjeve ndodhën në të gjithë botën dhe goditën shumicën e produkteve të saj.

Shitjet e iPhone-ve të njohur ranë me më shumë se tetë për qind, kurse shitjet e kompjuterëve Mac me 29 për qind.

Sakaq, rënia goditi fitimet e firmës, të cilat ranë me 13 për qind në 30 miliardë dollarë.

Në nivel global, numri i telefonave inteligjentë të dërguar u ul me 12 për qind vitin e kaluar, sipas firmës së analizës së tregut Canalys.

Drejtuesit e Apple-it kanë thënë se prisnin që biznesi i tyre i shërbimeve, i cili përfshin Apple Pay dhe Apple News, të vazhdojë të nxisë rritjen, duke vënë në dukje se ka më shumë se dy miliardë pajisje aktive Apple në mbarë botën.

“Kur shikojmë sjelljen e bazës sonë të instaluar, mendojmë se është shumë premtuese”, ka theksuar shefi financiar Luca Maestri.

Ai ka paralajmëruar po ashtu investitorët se firma priste që shitjet të vazhdonin të kishin rënie në muajt në vijim.

Gjithashtu edhe kompani të tjera të mëdha të teknologjisë kanë thënë se po ndjenin presion në përditësimet ndaj investitorëve.

Amazon, e cila ka qenë duke luftuar për të rindezur biznesin e saj të tregtisë elektronike, ka njoftuar se shitjet në dyqanet e saj online ranë me dy për qind në tre muajt e fundit të vitit 2022.

Në Alphabet, kompania mëmë e Google-it dhe YouTube-it, shitjet u rritën vetëm një për qind në tre muajt deri në dhjetor, krahasuar me vitin 2021.

E gjitha pasi firmat shkurtuan reklamat – burimi kryesor i të ardhurave të kompanisë – përballë pasigurisë ekonomike.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore