Shqipëria

Rëndësia e vaksinimit – në pandemi apo endemi?!


Prof. Dr. Pëllumb Pipero, mjek infeksionist

Lufta me “armikun e padukshëm” ka “mbërthyer” prej dy vitesh gjithë botën.

Për të parën herë coronavirus-i, do të shfaqej në Kinë, në nëntor të 2019-ës.

Më pas, prej fillimvitit të 2020-ës, do të përhapej në çdo skaj të botës.

Kompanitë farmaceutike vepruan shumë shpejt, duke zbuluar “armën” mbrojtëse ndaj COVID-19, pavarësisht miliona jetëve të humbura dhe infektimit në masë të njerëzve.

Debatet mbi vaksinën nuk kanë qenë të pakta, aq sa shumë shtete evropiane e kanë vendosur me ligj vaksinimin e popullsisë së tyre.

Jo shumë larg Shqipërisë, dy shtetet fqinje, Italia dhe Greqia, miratuan po ashtu ligje për vaksinimin e detyrueshëm tek të gjithë qytetarët mbi 50 dhe 60 vjeç.

E fundit që miratoi të njëjtat ligje është edhe Austria, më 1 shkurt. Ky shembull pritet të ndiqet edhe nga Gjermania dhe Franca.

Një vaksinë anti-COVID në Kent, Ohio.

Shumë vende në të gjithë Evropën kanë njoftuar kohët e fundit fundin e masave shëndetësore COVID-19, duke përfshirë mandatet e maskave dhe detyrimin për të treguar prova të vaksinimit.

Por, Italia aktualisht operon një sistem certifikatash shëndetësore me dy nivele të “Green Pass-it”, që do të thotë se aktualisht nevojitet prova e vaksinimit ose rikuperimit për akses në gjithçka, nga hotelet dhe restorantet deri te transporti publik dhe shumë vende pune në Itali.

Kjo do të thotë se edhe pse vizitorët e pavaksinuar mund të hyjnë në vend – Italia ka lejuar hyrjen e njerëzve nga vendet e BE-së dhe ato jo-BE vetëm me rezultat negativ të testit që nga 1 marsi – ata do të përballen me kufizime të rrepta pasi të hyjnë në vend.

Konkretisht vizitorët e kanë të pamundur të pronotojnë një hotel, të marrin një autobus ose të vizitojnë një muze pa dëshmi vaksinimi (ose shërim nga COVID-19).

Për Albanian Post, eksperti njëkohësisht dhe drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt, Dr. Erion Dasho, ka deklaruar se Gjermania aktualisht është duke i hequr masat gradualisht për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

Dr. Erion Dasho

“Në këto kushte në Gjermani ne ende vazhdojmë të aplikojmë qoftë përdorimin e maskës. Është lehtësuar përdorimi i ‘Green Pass-it’, por është theksuar përdorimi i një maske kirurgjikale në mjedise të mbyllura sidomos ato të transportit urban dhe popullata gjermane vazhdon të respektojë masat”, theksoi Dasho i pyetur edhe se si po reagojnë qytetarët atje.

Sipas Dashos “Green Pass-i” është mjet i dobishëm, që garanton solidaritet në shëndetësi.

“Gjithkush bindet se për aq kohë sa ai vetë kontribuon  në përmirësimin e shëndetit publik ka të drejtë që dhe shoqëria të garantojë këto në mënyrë reciproke. Në këto kushte unë besoj se përdorimi korrekt i tij është masë e dobishme që duhet ndjekur”, vijon Dasho.

Sakaq Anglia është një ndër vendet evropiane që e ka hequr nga përdorimi “Green Pass-in”.

Ku qëndron Shqipëria?

Për Albanian Post, Prof. Dr. Pëllumb Pipero, mjek infeksionist, deklaron se shtete të ndryshme, edhe pse pandemia dhe virusi shkaktar është i njëjti, kanë marrë dhe marrin masa shpesh të ndryshme nga njëri-tjetri për parandalimin e pandemisë.

Dr. Pëllumb Pipero

E njëjta gjë, sipas tij, ndodh edhe me politikat ndaj vaksinimit dhe nuk është e thënë që të gjitha shtetet të kenë të njëjtin ligj, “gjithçka vjen në raport me kushtet respektive”.

“Mendoj se para detyrimit me ligj prevalon ndërgjegjësimi i popullatës për t’u vaksinuar. Dua të nënvizoj se bota nuk do të jetë e ‘çliruar’ nga pandemia nëse të gjitha shtetet nuk do të jenë çliruar prej saj”, theksoi ai për AP-në.

I pyetur nëse do të nevojitet një dozë e katërt, prerë tha se, “nuk mendoj se do të ketë nevojë për doza shtesë të vaksinës”.

Por, për Dashon procesi i vaksinimit është akoma i rëndësishëm edhe në Shqipëri, pavarësisht lehtësimit të masave.

“Procesi i vaksinimit duhet të rregullohet me masa shtrënguese ligjore. Shëndeti publik dhe kujdesi shëndetësor përgjithësi bazohet në bindjen e qytetarit për dobinë e këtyre masave”, shprehet eksperti.

Pipero shtoi se puna e ekspertëve shqiptarë në luftën kundër këtij armiku të padukshëm është vetëm këmbëngulja e tyre për ndërgjegjësimin e popullatës për dobinë e vaksinimit – tashmë i evidentuar dhe qartësisht efektiv ndaj COVID-19, veçanërisht ndaj sëmundjes dhe formave të rënda të saj.

Dasho tregohet pas skeptik në lidhje me vendimet që Komiteti i Ekspertëve merr në Shqipëri.

“Shqipëria fatkeqësisht nuk ka masë të bazuar mbi evidencat që zbatohet sot në mënyrë korrekte. Anëtarët e komitetit ekspertëve flisnin për mbajtje maske në publik. Në Shqipëri në asnjë mjedis të mbyllur nuk mbahet maska ndërkohë që ata flasin për respektim distancash dhe mbajtje maskash. Kjo flet se sa qesharakë janë dhe të dëmshme kanë qenë vendimet dhe veprimet e tyre gjatë pandemisë”, thotë ndër të tjera Dasho.

Prof. Dr. Pipero e mbylli duke bërë me dije se jemi drejt fundit të pandemisë dhe këtë e dëshmon dhe fakti i heqjes së kufizimeve më 2 mars.

“Te gjithë indikatorët tregojnë se jemi shumë afër fundit të kësaj pandemie dhe ndoshta, unë nuk do ta dëshiroja, drejt kalimit në fazën endemike të saj”, e përmbylli Pipero për Albanian Post.

Të njëjtën gjë mendon edhe Dasho, ku për AP-në thotë se, “po i vjen fundi kësaj pandemie dhe natyrisht COVID-19 do të jetë e vështirë për tu zhdukur si sëmundje, por do kemi qarkullim endemik dhe do kemi prekje të atyre zonave të paimunizuara, apo popullata që e kanë kaluar”.

“E ardhmja nuk mund të parashikohet, por rekomandoj autoriteteve dhe qytetarëve, të ndjekin rekomandimet e organizata ndërkombëtare që ndjekin rekomandimet e tyre që duhet dëgjohen”, e përmbyll mesazhin e tij Dr. Dasho.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore