Kosova

Rekomandimi i Borrellit për heqjen e masave ndaj Kosovës, Rohde: Tash është në dorën e shteteve të BE-së


Një ditë pasi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në raportin e përpiluar për Kosovën, rekomandoi shtetet anëtare për heqjen e masave ndaj Kosovës, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka thënë se tash është në dorën e shteteve që janë pjesë e Unionit për të marrë vendim pro ose kundër.

“Ky është një diskutim që duhet bërë në Bruksel, ne do të duhet të shohim mirë se çfarë do të vendosin. Tani është në dorën e shteteve anëtare”, tha Rohde në një bisedë për Ekonomia Online.

Ndërkaq në rekomandimin e shefit të diplomacisë evropiane, largimi i masave kufizuese cilësohet “sinjal politik” që pritet të kontribuojë në “kontekstin e balancuar” në të cilin procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së të avancojë.

Raportohet se heqja e masave kufizuese ndaj Kosovës mund të jetë në rend dite edhe në takimin e Këshillit të BE-së për Punë të Jashtme, që zhvillohet në nivel ministrash më 24 qershor.

Pastaj, shërbimi i jashtëm i BE-së (EEAS) mund ta njoftojë zyrtarisht Kosovën për heqjen e tyre.

Përveç masave, Kosovës i është anuluar pjesëmarrja edhe në stërvitjen ushtarake ‘Defender Europe 2023’ pas situatës së tensionuar në Veri, ku kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, BE-ja i vendosi këto masa ndaj Kosovës në qershor të vitit të kaluar për shkak të përshkallëzimit të situatës në veriun e vendit.

Megjithatë, një ditë më parë, zëvendëskryeministëri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka theksuar se ja ka vlejtur të humben edhe 1.5 miliardë euro nga masat e BE-së, meqë sipas tij, “Kosova nuk ka lëshuar pe në Veri”.

Bislimi thotë se ia ka vlejtur Kosova t’i humbë edhe 1.5 miliardë euro nga sanksionet e BE-së, sepse “nuk kemi lëshuar pe”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore