Lajme

Reklamat 3D në Facebook dhe Instagram, një hap drejt metaverse-it


Kompania Meta do ta bëjë më të lehtë për markat që të shfaqin reklama tredimensionale në Facebook dhe Instagram.

Këtë përmes një partneriteti të ri me një firmë teknologjike të shitjeve në internet.

Integrimi me VNTANA do të lejojë markat të ngarkojnë modelet 3D të produkteve të tyre në platformat e mediave sociale dhe t’i konvertojnë ato lehtësisht në reklama.

Shefi ekzekutiv, Ashley Crowder, duke iu referuar idesë futuriste të një koleksioni botësh virtuale që mund të aksesohen përmes pajisjeve të ndryshme, ka thënë se ky veprim është një hap drejt reklamave në metaverse.

Meta ka vendosur që të kontribuojë në një të ardhme drejt metaverse-it, për të cilin ka thënë se mund të duhet deri në një dekadë për t’u realizuar.

Sakaq, markat në industrinë e bukurisë, modës dhe mobiljeve po punojnë për të kaluar nga përfaqësimet 2D në 3D të produkteve të tyre.

Metaverse-i është në thelb interneti hapësinor”, ka thënë Crowder.

“Është një botë e tërë mundësish që fillon me të patsrit e modeleve të duhura 3D të produkteve”, ka vijuar ai.

Përdoruesit e Facebook-ut dhe Instagram-it që shohin një reklamë 3D teksa shfletojnë në desktopin ose telefonin e tyre mund të ndërveprojnë me një imazh dhe ta lëvizin artikullin përreth për ta parë atë nga të gjitha këndet.

“Në një farë mënyre, kjo ofron një paraqitje të shkurtër të asaj që mund të prisni nga pajisjet e ardhshme si syzet realitetit të shtuar”, ka thënë specialisti Chris Barbour.

Përpara integrimit të VNTANA me Meta-n, reklamuesit duhet të riformatojnë skedarët 3D për të qenë të pajtueshëm me sistemet e reklamave të kompanisë.

Tanimë, markat mund të përdorin VNTANA për të ngarkuar dhe konvertuar me lehtësi skedarët në reklama pa ekspertizë teknike në punën me imazhe 3D.

 

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore