Regresi i Kosovës me 19-të vende në lirinë e medias, Qeveria: S’ishte vit i lehtë, ndikoi Veriu

SHFLETO

Ilustrim

 

Dreni Himbeqa
03.05.2024 13:53
Loading Icons...

Qeveria e Kosovës ndërsa ka pranuar rezultatin e dobët në Indeksin vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit i publikuar nga organizata “Reporterët Pa Kufij”, ku Kosova është radhitur e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, ka theksuar se renditja e sivjetme “nuk duhet të na dekurajoj”.

Rezultatin e dobët të Kosovës në Lirinë e Medias, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, e ka lidhur me faktin se viti i kaluar nuk ka qenë një vit i lehtë për vendin, për shkak të situatës së sigurisë në Veriun e Kosovës.

“Sidomos në aspektin e sigurisë marrë parasysh ngjarjet në Veri. Përkundrazi, përballë një rreziku global të cenimit të lirisë së shtypit, besueshmërisë dhe pavarësisë së saj, është koha e duhur për të rikujtuar dhe ushtruar rolin që secili ka në mbrojtjen dhe fuqizimin e mediave të pavarura dhe profesionale, si një prej shtyllave kryesore të shoqërive demokratike”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Sipas Kryeziut janë dy çështje kryesore që kanë diktuar renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Mediave këtë vit.

“E para, sulmet ndaj gazetareve e gazetarëve nga bandat kriminale të strukturave paralele të Serbisë në katër komunat në veri në mes muajve maj-korrik 2023, e që në raport qenkan përshkruar me një gjuhë neutrale: ‘sulmet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë tensioneve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit’”.

“E dyta, denoncimi publik që Klan Kosova sh.p.k është regjistruar në Kosovë me dokumente të Serbisë dhe llogaridhënia ligjore që i është kërkuar nga institucionet e vendit si pasojë, të cilin raporti e paska përshkruar si në vijim: ‘Klan Kosova ka qenë subjekt i ngacmimeve administrative (en. administrative harassment) nga Qeveria e Kosovës’”.

Në Veri, sipas tij, Polica e ka bërë të mirën e mundshme që të ofrojë siguri për të gjithë.

“Veriu i rrezikshëm ka qenë edhe për vetë Policinë e Kosovës. Një vit pas, atje ka më shumë siguri për raportim të mediave nga terreni se që ka pasur në të kaluarën”.

Ndërsa sa i përket çështjes së Klan Kosovës, sipas Kryeziut, aty është evidentuar një shkelje ligjore.

“Pas denoncimit publik, Klan Kosova sh.p.k ka përmirësuar të dhënat në regjistrim, duke pranuar kështu që faktikisht ka pasur shkelje gjatë regjistrimit fillestar. Ndryshe nuk kishte pse t’i përmirësonte. Edhe këtu, mediat kanë pasur një rol kyç në denoncimin publik të rastit, duke kontribuar edhe këtu në respektimin e kushtetutshmërisë”.

Ndërkoh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Osmani, ndërsa ka injoruar totalisht regresin me 19-të vende të Kosovës në lirinë e medias, ka potencuar se Zyra e saj mbështet dhe inkurajon gazetarët, duke riafirmuar angazhimin për ta mbrojtur të drejtën e tyre “për të raportuar pa frikë dhe censurë”.

Ky është vlerësimi më negativ që i është bërë Kosovës në dekadën e fundit.

Në vitin 2014 Kosova ishte vlerësuar me notën 70.71 nga kjo organizatë, ndërsa gjatë viti 2024 Kosova ka grumbulluar vetëm 60.19 pikë.

“Në vitin 2023, Kosova ishte vlerësuar me notën 68.38. Në vitin 2023 me notën 68.38. Në vitin 2022 me notën 67. Në vitin 2021 me notën 69.68. Në vitin 2020 me notën 70.67. Në vitin 2019 me notën 70.32. Në vitin 2018 me notën 70.39. Në vitin 2017 me notën 69.55. Në vitin 2016 me notën 69.5. Në vitin 2015 me notën 69.37”.

Kosova shënon regres për 19 vende në indeksin e “Reporterëve pa Kufij” – gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike