Kosova

“Regres i Qeverisë”, Bajrami: Kosova pëson rënie në indeksin e lirive ekonomike


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria aktuale ka bërë edhe “një regres” tjetër sa i përket aspektit ekonomik të Kosovës, duke treguar se vendi ka pësuar rënie në indeksin e lirive ekonomike, nga 67.4 pikë që kishte më 2020 tani në vitin 2024 ka vetëm 60.6 pikë.

“Një tjetër regres i Qeverisë Kurti. Sipas raportit të “Heritage Foundation” të publikuar me 17 korrik, 2024, Kosova në indeksin e lirive ekonomike shënon vetëm 60.6 pikë, derisa në vitin 2020 Kosova shënonte 67.4 pikë. Se keq-qeverisja përkthehet në indekse të përkeqësuara nuk kemi pasur asnjë dyshim”, shkroi ajo në Facebook.

Deputetja e LDK-së ka theksuar se korrupsioni endemik, mungesa e reformave fiskale e strukurore, kapja e dhe politizimi i secilit institucion rregollator, tentimi i ndërhyrjes në ekonomi përmes ligjeve antikushtetuese, natyrisht se lënë gjurmë në liritë ekonomike.

“Në raportin e publikuar për liritë ekonomike nga organizata ‘Heritage Foundation’, ndër të tjera thuhet: Pavarësisht normave pozitive të rritjes, ekonomia karakterizohet nga paqëndrueshmëria politike, korrupsioni, furnizim i pasigurt me energji, ekonomi e madhe informale dhe me një sundim të ligjit të dobët”.

Ajo ka potencuar se Kosova ka zbatuar reforma miqësore për biznesin, por korniza e përgjithshme rregullatore mbetet e rëndë dhe se aktiviteti i tregut informal mbetet i konsiderueshëm.

“Tregu formal i punës nuk është zhvilluar plotësisht. Stabiliteti monetar është dobësuar dhe normat e fundit të inflacionit janë rritur me më shumë se 7 për qind”, shtoi Bajrami.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore