Lajme

Refuzohet t’i caktohet masa e paraburgimit Akil Gjakovës – ndalohet t’i afrohet bashkëshortes së tij prej 50 metra


Akil Gjakova dhe Gjykata Themelore e Pejës.

Gjykata Themelore e Pejës, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Akil Gjakova që dyshohet për vepër penale “Dhunë në Familje”.

Në vend të masës së paraburgimit, Gjykata i ka vendosur Gjakovës ndalesë për afërsi ndaj gruas së tij.

“Të pandehurit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që të njëjtit i është ndaluar për t’iu afruar vendit ku e dëmtuara banon si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra, e në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga ana e të pandehurit, gjykata ndaj të njëjtit do të caktojë masën e paraburgimit”.

Në rast se pala e dëmtuar ankohet të njëjtit do t’i caktohet dënim me gjobë.

“Pasi pala e dëmtuar të njoftohet me aktvendim edhe ajo duhet të respektoj vendimin e gjykatës dhe nëse qëllimisht cenon kufizimet që i ka i pandehuri, gjykata mund ta dënojë personin e mbrojtur me gjobë”.

Masa ndaj Akil Gjakovës që të mos i afrohet personit apo vendit të caktuar do t’i zgjasë për 30 ditë.

Ndërsa ndaj këtij vendimi është thënë se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Më 17 prill, Policia e Kosovës, kishte arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje, pasi e kishte shpallur në kërkim.

Ditë më parë, përmes një letre publike, xhudisti Gjakova, kishte mohuar pretendimet për dhunë në familje edhe pse ky u fundit është denoncuar nga gruaja e tij për veprën e lartcekur, derisa Prokuroria Themelore e Pejës kishte kërkuar nga Policia që ta arrestojë xhudistin pejan.

AP kishte kuptuar se çifti janë në një proces divorci, ku ndarja është kërkuar nga vetë Gjakova, derisa bashkëshortja e tij ka deponuar fakte që pretendojnë se xhudisti pejan ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Gjakova është një nga xhudistët më të mirë në botë aktualisht dhe ndër më të suksesshmit i të gjitha kohërave nga Kosova.

Ai më 3 shkurt kishte fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin në Paris.

Akili pati garuar në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa i fitoi 500 pikë shumë të rëndësishme për renditjen botërore. Po ashtu, Gjakova e ka fituar medaljen e artë në Paris në vitin 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore