Sport

Refuzohet ankesa e Ferizajt, Liria do të jetë pjesë e Superligës


Liria do të jetë pjesë e Superligës së Kosovës për edicionin e ardhshëm në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.

Klubi i Ferizajt kishte bërë një kërkesë duke pretenduar se Liria ka luajtur me disa futbollistë me kontrata të skaduara në ndeshjen e “Play-Off”-it ndaj tyre të cilën e fituan pas ekzekutimit të penalltive.

Megjithatë, kjo ankesë është refuzuar nga Federata e Futbollit të Kosovës

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e KF Ferizaj – nga Ferizaj dhe ndeshja e  barazhit në mes KF Ferizaj dhe KF Liria regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, në kohë të rregullt e pas vazhdimeve 0:0, me penallti 0:3 në favor të KF Liria nga Prizreni”, shkruan FFK.

Arsyetimi nga FFK:

Komisioni i Garave në seancën e vet të mbajtur me datë 07.06.2023, me rastin e regjistrimit të kësaj ndeshje, konstatoi se KF Ferizaj ka ushtruar ankesë duke kontestuar rregullsinë e kësaj ndeshje për shkak se lojtari Liridon Fetahaj me ID.00636M91 është paraqitur në ndeshje pa të drejtë, për shkak të skadimit të kontratës.

Gjatë administrimit të ankesës si dhe të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se: Për Komisionin e Garave, sipas nenit 71, paragrafi 1, të Rregullores së Garave janë përmbushur të gjitha kushtet për administrim dhe vendimmarrje lidhur me ankesën.

Se, Komisioni i Garave në ecurinë e procedimit juridik të administrimit të provave dhe të vendimmarrjes ka kërkuar deklarata nga zyrtarët kompetent të FFK-së.

Bazuar në kushtet e përgjithshme për gara dhe sipas nenit 13 të Rregullores së Garave, viti garues fillon më 01 korrik , ndërsa përfundon më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Viti është i ndarë në dy stinorë – vjeshtor dhe pranveror dhe se ndeshja e barazhit është vazhdim dhe juridikisht kualifikohet si ndeshje e stinorit pranveror që është brenda edicionit të garave për vitin 2022-2023.

Po ashtu edhe sipas nenit 29 të Propozicioneve të Garave lojtatri Liridon Fetahaj ka qenë i licencuar për edicionin e garave për vitin 2022-2023, kështu që pretendimet e palës ankimore nuk u vërtetuan, prandaj, ankesa e KF Ferizaj, refuzohet si e pabazuar dhe ndeshja e barazhit mes KF Ferizaj dhe KF Liria, regjistrohet me rezultat të arritur në fushë, në kohë të rregullt dhe pas vazhdimeve 0:0, me penallti 0:3 në favor të KF Liria. Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në dipozitiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore