Kosova

“Refuzimi për t’i shërbyer komuniteteve joshumicë – i prapranueshëm dhe i dënueshëm”


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në mbështetje të Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit, i cili bëri apel që të bojkotohen kafeteritë të cilat refuzojnë t’i shërbejnë pjesëtarëve të komuniteteve.

“Refuzimi për t’i shërbyer komuniteteve joshumicë është i papranueshëm dhe i dënueshëm”, ka shkruar Albulena Haxhiu.

“Kjo nuk duhet të ndodh askund dhe asnjëherë. Barazi dhe jo diskriminim”.

Ndërkaq për këtë gjë së pari reagoi Ministri Krasniqi, i cili e quajti të turpshme që “në forma të ndryshme refurojnë t’i shërbejnë pjesëtarët e komuniteteve dhe bëjnë dallime”.

“Për një rast të tillë edhe dje me informuan aktivistë nga Gjakova. Gjakova është ndër qytetet shembull për bashkëjetesë dhe rastet e tilla nuk duhet të lejohen të ndodhin”, shkroi ai.

“Mbetet angazhim i institucioneve dhe shoqërisë që të garantojnë dhe zhvillojnë bashkëjetesën dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët”.

Ndërkaq bëri thirrje që lokalet që bëjnë diferencime të tilla “duhet t’i bojkotojmë të gjithë”.

“Personat me ngarkesa raciste nuk duhet t’i mbështesim në zhvillim të tyre”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore