Lajme

Refuzimi i Kurtit për t’iu përgjigjur deputetëve, Hoti: U cenua rendi kushtetues


Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili tha se nuk do t’u përgjigjet pyetjeve parlamentare të deputetëve që nuk janë duke i votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hoti, refuzimin e Kurtit, dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare të deputetëve e ka konsideruar si “cenim i rendit kushtetues”.

Albin Kurti

“E vërtetë është se një pjesë e opozitës, pa e përfshirë LDK-në, nuk po i voton këto marrëveshje, por kjo nuk i jep të drejtë Qeverisë të shantazhojë deputetët”, shkroi.

Përgjegjësinë politike, pohoi Hoti, “e marrin ato grupe parlamentare dhe deputetë që nuk po votojnë”.

“Por, askush nuk mund të detyrojë e shantazhojë ata se si të sillen në Kuvend. Mandati i deputetit është i lirë dhe i pakushtëzuar”.

Tutje, ish-kryeministri i Kosovës thekson se “fatkeqësisht”, ky veprim është “sulm” ndaj ndarjes së pushteteve dhe “hierarkisë kushtetuese të institucioneve”.

“Ky lloj shantazhi ndaj deputetëve është diktaturë hibride në sisteme demokratike”, shtoi. “Është fatkeqe për demokracinë tonë që përjetojmë situata të tilla, ku deputetët e mazhorancës bëhen pjesë e kësaj maskarade parlamentare”.

Në anën tjetër, për Hotin, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, “nuk po e kryen detyrën e tij” për të siguruar mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit dhe sjelljen kushtetuese të anëtarëve të Qeverisë në seancat parlamentare.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku ishte paraparë që t’u përgjigjet pyetjeve parlamentare ka deklaruar se nuk do t’i përgjigjet asnjë pyetje në këtë seancë.

Kjo për shkak se konsideron se “pyetjet nuk vinë nga ky parlament”, pasi që opozita po kundërshton votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Të gjithë deputetët që i bëjnë pyetjet s’do ta kenë përgjigjen time edhe pse e kam tashmë të përgatitur. Duhet të jemi koleg të të njëjtit shtet, e jemi në të njëjtit shtet nëse bëhet fjalë për mbrojtjen dhe përfaqësimin publik e interesimit shtetërorë”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka deklaruar se nuk ka pasur kryeministër në Kosovë, që ka qenë më shumë i gatshëm për t’u përgjigjur në pyetjet parlamentare.

“S’ka pasur kryeministër në Kosovën e pavarur që është përgjigjur më shpesh dhe me më përpikemëri pyetjeve parlamentare nga 377 marrëveshje ndërkombëtare që unë kur isha opozitë parlamentare kanë kaluar këtu vetëm tri prej s’janë votuar,  374 janë votuar”.

Pas pyetjes së deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, kreu i ekzekutivit ka deklaruar se kur të jeni deputetet e Kuvendit të Kosovës, do të u përgjigjëm pyetjeve të juaja.

“Atëherë kur të jeni deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, vetëm atëherë do të përgjigjem në pyetjet parlamentar sepse sigurohet që bëhet fjalë për Parlamentin e Republikës së Kosovës”.

“S’mund të bësh pyetje parlamentare ndaj kryeministrit dhe ta dëmtosh shtetin në masën e përgjithshme 360 milionë euro”.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se nuk do të përgjigjet në pyetjet e deputetëve të ardhura nga partitë opozitare pasi ata nuk janë duke i votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Kurti, Opozitës: S’do përgjigjem në asnjë pyetje parlamentare, duhet të jeni deputetë të Kuvendit të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore