Financa

Refuzimi i gazit amerikan, gabim strategjik i Qeverisë Kurti


Qeveria e Kosovës

Kosova përfundimisht refuzoi gazin amerikan, projekt ky strategjik i mbështetur nga administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazsjellësin në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga SHBA-të.

“Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik”, theksoi Rizvanolli në një konferencë për media, kur dha lajmin.

Por, këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, për refuzimin e gazsjellësit, njohësit e zhvillimeve politike po e vlerësojnë gabim strategjik dhe ekonomike.

Visar Ymeri, Drejtor i Institutit për Politika Sociale, “Musine Kokolari”, thotë se refuzimi që Qeveria e Kosovës i ka bërë projektit të gazsjellësit të përkrahur nga SHBA, ka edhe implikimet e veta edhe “politike e gjeostrategjike, por edhe ato ekonomike”.

Visar Ymeri, Drejtor i Institutit për Politika Sociale, “Musine Kokolari”

“Diversifikimi i burimeve të energjisë është domosdo ekonomike e mjedisore. Energjia e prodhuar nga gazi është shumë më e pastër se sa ajo e prodhuar nga thëngjilli. Në këtë drejtim Kosova rrezikon të humb një shans jashtëzakonisht të dobishme”.

“Shtoja këtu pastaj edhe rëndësinë gjeostrategjike të këtij projekti i cili është i vetmi projekt i infrastrukturës së gazit që e ka parapa përfshirjen e Kosovës brenda. Të gjitha vendet e rajonit do të jenë pjesë e zinxhirit të shpërndarjes së gazit përveç Kosovës”, ka thënë Ymeri për Albanian Post.

Ymeri po mendon se kalimi nëpër Kosovë i këtij rrjeti, vendin e vendos në pozicion të favorshëm gjeostrategjik.

“Pyetja më me rëndësi është kujt i konvenon që Kosova të mbetet jashtë këtij rrjeti? Të mos harrojmë se gazi i përçuar përmes këtij rrjeti në ndërtim destinim final e ka BE-në. Ky rrjet ia shton rëndësinë gjeostrategjike rajonit, dhe kalimi i tij edhe nëpër Kosovë do t’ia shtonte këtë rëndësi edhe Kosovës”, tha ai.

Edhe njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, mendon se t’i thuash jo Amerikës, “ose je i krisur ose mundesh me pas agjenda të caktuara”.

“Të refuzohet një ofertë nga një shtet siç janë SHBA-të, që i gjithë rrugëtimi i Kosovës është pikërisht fal tyre, ku edhe rasti i fundit me problemin në veri të Kosovës prapë SHBA-të janë fjala e fundit dhe në të sillemi në këtë mënyrë. Intuita të dërgon në dy pista ose duhet me qenë i krisur ose me pas agjenda te caktuara”.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj

Kadriaj ka thënë se refuzimi i projektit është bërë pa ofruar asnjë argument.

“Si refuzon derisa nuk ka ofruar asnjë argument të bindshëm ekonomik e mos të flasim politikë, që si ekonomist së paku do e arsyetoja, nëse së paku do e arsyetonte anën ekonomike që nuk është i favorshëm për ne”.

Ai ka potencuar se e gjithë ekonomia botërorë është e orientuar në ekonomi të gjelbër.

“Së paku aty ku mundemi edhe ne si shtet të bëjmë hapin në këtë drejtim e aq me shumë, edhe nëse nuk e ka problem kryeministri shëndetin e qytetarëve dhe të ardhmen e Kosovës, duhet të ketë të qartë që nuk mund të jetë si shtet që shkakton ndotje të ajrit duke dëmtuar edhe shtetet e rajonit dhe më gjerë”, ka thënë Kadriaj.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim të ekzekutivit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore