Kosova

Refuzimet për takim, Kurti: Mendova se është më së mirë të takohemi të gjithë së bashku


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është përgjigjur refuzimit që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i bënë ftesës së tij për takim, ku çështje diskutimi do të jetë koordinimi i agjendës së sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se ai ka menduar që një gjë e tillë do të ishte opsioni më i mirë.

“Jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm. Këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe do ta tregojë edhe në ditët, javët e muajt në vijim, tash që kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës”, ka thënë Kurti për televizionin lokal të Prizrenit “BESA”.

Çka ndodhi?

Dy negative, një pozitive është bilanci i përgjigjeve që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori nga partitë opozitare për ftesën për takim që ua bëri atyre ku çështje diskutimi do të jetë koordinimi i agjendës së sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës.

Fillimisht u përgjigj PDK-ja, e cila njoftoi se e ka pranuar ftesën e Kurtit.

Këtë për Albanian Post e konfirmoi zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu.

“Mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim”, ka thënë Abdullahu për AP.

Pjesëmarrja e Krasniqit në këtë takim, sipas Abdullahut, do të jetë në funksion të diskutimit të mundësive për caktimin e datës për zgjedhje të reja.

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë”, ka shtuar ai.

Por, ndryshe nga PDK, LDK-ja e Lumir Abdixhikut e ka refuzuar ftesën e Kurtit për takim.

Abdixhiku, përmes një letre dërguar Kurtit, ka sqaruar arsyet e refuzimit të ftesës, ku ndër të tjera është potencuar se Kurti “ka shuar frymën e bashkëpunimit”.

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën e Abdixhikut drejtuar Kurtit.

Sa i përket çështjes së diskutimit – agjendës legjislative të Kuvendit të Kosovës – Abdixhiku ka konsideruar se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit.

“Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore prandaj do vazhdojë t’i votojë siç dhe ka vepruar deri më tani”.

Letra e Lumir Abdixhikut drejtuar Albin Kurtit

Refuzim i bëri edhe AAK-ja, përmes një letre që Ramush Haradinaj ia dërgoi Kurtit, në të cilën i tregoi edhe arsyet e këtij vendimi.

“Sa i përket temës së kësaj darke, besoj se kjo bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare. Besnik Tahiri, i cili e udhëheqë grupin tonë parlamentar dhe kolegë tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim”, ka thënë Haradinaj në letrën e tij.

Ish-kryeministri ka konsideruar se “kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, derisa është shprehur i hapur për tema të tjera në të ardhmen.

“Ndërsa, në qoftë se ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë, këtë çështje mund ta trajtojmë në një kohë tjetër, në një moment tjetër në mënyrë që të përafrojmë qëndrimet që janë me interes nacional”, thekson Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore