Lajme

“Reforma zgjedhore në Kosovë e domosdoshme”


Reforma zgjedhore po shihet si proces i domosdoshëm nga njohës të fushës së drejtësisë në Kosovë.

Madje sipas tyre kjo ka qenë edhe kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare.

Ndonëse nisi si proces vite më parë, në mungesë të vullnetit nga të gjitha partitë politike, kjo iniciativë mbeti në gjysmë, po vlerëson drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj për EO.

Ai ka kërkuar që të merren parasysh të gjitha rekomandimet e shoqërisë civile dhe ndërkombëtarëve.

“Kanë kaluar vite të tëra që nuk ka pasur vullnet politik pothuajse të gjitha partive politike për të vazhduar me këtë reformë. Pas 7 vjetëve pauzë le të shpresojmë se do të jetë vullneti politik dhe do të procedohet me këtë iniciativë”, tha Miftaraj.

Sipas Miftarajt, për zgjedhjen e presidentit nga ana e popullit duhet bërë ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës.

“Kushtetua përcakton zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe për këtë duhen dy të tretat e deputetëve të Kuvendit dhe varet nga fakti se a do të ketë vullnet politik dhe sa do të jetë në harmoni me kompetencat, përgjegjësitë që i ka presidentja e Kosovës”, shtoi Miftaraj.

Ndërsa njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, theksoi se reforma zgjedhore është domosdoshmëri kohe dhe është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

“Do të duhej pragu zgjedhor të diskutohej dhe do të duhej zona zgjedhor të procedoheshin”, potencoi Baraliu.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit nga populli do të ishte mënyra më e mirë sepse i njëjti do ta legjitimonte veten për të pasur mundësi që të mos interferohet klasa politike, raporton EO.

Ditë më parë kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, mblodhi në takim përfaqësues të partive politike në mënyrë që të dakordoheshin për fillimin e reformës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore