Lajme

Reforma pensionale, pensione më të larta edhe për punëtorët e viteve 90-ta


Qeveria e Kosovës.

Pensionistët e përjashtuar nga skema për stazhin pensionale për punën në vitet 90-ta që u larguan nga puna përmes masave të dhunshme, nga tash e tutje do t’iu numërohen vitet e punës, sepse Qeveria e Kosovës ka propozuar projektligjin e ri për pensione.

Nëse projektligji votohet në Kuvend, atëherë të gjithë ata që kanë vite punë në vitet 90-ta do të mund të marrin pension më të lartë, meqë do iu njihen kontributet pensionale.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

“Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu për 15 vjet stazh pune por nuk është marrë parasysh heqja e dhunshme nga puna”.

“Si rezultat i largimit të dhunshëm kanë mbetur shumë persona që kanë kontribuar mbase 14 vite e 11 muaj, por s’kanë arritur ta plotësojnë kushtin. Ne po e zhbëjmë këtë diskriminim sepse do t’u llogaritet drejt plotësimit të kushteve prej 15 vitesh ndërsa lartësia e pensionit do të përcaktohet në bazë të viteve të kontributeve”.

Murati, tutje ka sqaruar se rreth 70 mijë persona kualifikohen si përfitues nga ndryshimi i këtij ligji.

“Më duhet të them disa statistika, nga ky ndryshim plotësim teorikisht përfitojnë 104 mijë persona që do të plotësonin kushtin, megjithatë duhet të marrim parasysh se disa mund të kenë ndërruar jetë e disa ende mund të mos e kenë arritur moshën e pensionimit”.

“Në skemën e pensionit bazik janë rreth 70 mijë persona dhe do të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës. Shpresojmë që edhe Kuvendi t’i marrë masat e nevojshme”.

Kurse, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se me anë të këtij ligji do të sigurohet trajtimi i barabartë për të gjithë pensionistët dhe do të rritet mirëqenia sociale të cilin e vlerësoi si tejet të rëndësishëm.

“Në përputhje me zotimin tonë po e bëjmë reformën pensionale, Qeveria e Kosovës po ndërton një sistem pensional, solidar dhe të barabartë që garanton pensione stabile dhe kujdeset për pensionistët. Këtë duhet ta bëjë Republika dhe këtë po e bëjmë së bashku”, deklaroi Kurti.

Gjykata Kushtetuese në fund të vitit 2022, kishte marrë vendim që të largojë nenin 8 të Ligjit për Skemat pensionale.

Ky nen përcaktonte se të gjithë punëtorët që nuk i kanë 15 vjet punë para datës 1 janar 1999, nuk e gëzojnë të drejtën për pension kontributdhënës.

Shqyrtimi i projektkodit doganor dhe i akcizave

Ndërsa pikën e parë të cilën e prezantoi kryeministri para kabinetit qeveritar ishte shqyrtimi i projektkodit doganor dhe i akcizave.

Kryeministri e sqaroi se këtë projektkod si kornizë e cila përfshin rregullat dhe procedurat doganore në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian.

“Ky projektkod paraqet kornizë gjithëpërfshirëse për rregullat dhe procedurat doganore në territorin doganor të Republikës së Kosovës me të transmetohen direktivat e Bashkimit Evropian nga fusha e doganave dhe akcizës si një obligim i Kosovës ndaj Bashkimit Evropian”.

Ndërsa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha para ministrave se ky ka qenë një premtim shumë vjeçar e që qëllim kishte vetëm përshtatjen me kodin e ri doganor të Bashkimit Evropian.

“Në raport me kodin doganor që është në fuqi është i miratuar qysh në vitin 2008 dhe është koha që të përshtatet me direktivat më të fundit të Bashkimit Evropian”.

“Draftimi i ri i kodit të ri ka qenë prioritet tashmë e disa vjet qëllimi i tij ishte përshtatja me kodin e ri doganor të BE-së. Kjo ishte një kërkesë e vazhdueshme e programit të zbatimit të MSA-së dhe është një veprim në programin që tashmë kemi me fondin monetar ndërkombëtar”.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës të mërkurën ishte thirrur vetëm me dy pika.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore