Lajme

Redaktori i KRIK-ut flet për fushatën denigruese që ka nisur ndaj tyre


Stevan Dojçinoviç, redaktor i gazetës investigative KRIK.

Edhe pse gazeta investigative “KRIK”, si Rrjet për Hetimin e Krimit dhe Korrupsionit, ka qenë duke hetuar dhe raportuar për rastin e organizatës kriminale të Veljko Belivuk qe tash e pesë vite, vetëm kohët e fundit bordi editorial i KRIK-ut, gazetarët, edhe redaktori Stevan Dojçinoviç, janë bërë shënjestër e hapur e fushatës brutale dhe sulmeve nga tabloidët pro-qeveritarë në Serbi.

Krejt kjo sigurisht ka nis të ndodhë pas publikimeve të transkriptave të procesit gjyqësor të Veljko Belivuk, ku ai thuhet të ketë thënë se e njeh presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilit edhe i ka kryer shërbime të shumta.

Kohëve të fundit tabloidët pro-qeveritarë kanë nisur fushatë denigruese ndaj këtij mediumi të pavarur dhe investigativ, duke i quajtur “portal i kasapëve” kurse redaktorin Dojçinoviç duke i vërë etiketën “Belivuk”.

Në një intervistë për “Danas”, ai thotë se “për ata është e mundur të të botojnë gjithçfarë gënjeshtrat pa vuajtur asnjë pasojë për to”.

“T’u ngresh padi s’është që i ndalon sepse gjykatësit pak mirren me dëmet që u bëhen viktimave nga këto fushata shpifjesh. Kjo u bën të mundshme këtyre medieve pro-qeveritare që t’ia shkatërrojnë jetën dikujt, dhe gjykata më së shumti të kompenzon me 1000 euro. Sa për 1000 euro këto tabloidë s’e ndalojnë kurrë aktivitetin e tyre.”

Redaktori i KRIK-ut gjithashtu tha se sa i përket institucioneve, asnjëra nuk e konsideron veten se është punë e tyre t’i trajtojnë këto tabloide.

“Shto kësaj që shteti mbështet financiarisht prodhimin e këtyre gënjeshtrave. Një prej këtyre tabloidëve i quajtur ‘Objektiv’ në faqen e parë na titulloi si ‘Portal-Therrtorja e Mafias’. Mendoj se këtu janë kaluar kufijt, këta tabloidë janë thjesht të pandalshëm”.

Por, ai u shpreh se mbështetja nga lexuesit e KRIK-ut është rritur më shumë se asnjëherë më parë, dhe se ndjehet i lumtur që këto shkarravinash në tabloidë nuk ndikojnë opinionin publik.

“Ne qe 5 vite raportojmë për atë klan. Atëherë e quanin veten Jeniçerët, ishin ekip i Sale Mutavi-t, i cili i udhëhoqi deri sa e vranë. Pastaj udhëheqësinë e mori Belivuku, dhe e riemëroi si Princip. Dy gjëra janë fakte për këtë grup që nga lindja e tyre e deri sot: funksiononin brenda klanit Kavac dhe kishin lidhje të forta me shtetin”.

“Ne i kemi zbuluar këto lidhje përgjatë viteve, kurse zyrtarët qeveritarë vazhdimisht i kanë mohuar ato. Kur e pyetëm ministrin e atëhershëm të Policisë, Nebojsha Stefanovic, disa vjet më parë se pse policia nuk kryen aksione kundër klanit Kavac, por vetëm arreston rivalët e tyre, ai u përgjigj se pothuajse nuk ka anëtarë të klanit Kavac në Serbi. Dhe në atë kohë, ata kishin pushtuar të gjithë nëntokën e Beogradit”, thekson redaktori i KRIK.

Sa i përket epilogut të gjykimit të Belivukut ai konsideron se s’mund të dihet kjo gjë, por vetëm se do të jetë “një proces i stërlodhshëm dhe i gjatë, siç janë edhe krejt gjykimet e krimit të organizuar”.

“Autoritetet serbe dhe tabloidet e regjimit po vazhdojnë fushatën e ndyrë ndaj një medieje të pavarur, e cila e ka trajtuar rastin e Belivukut dhe bandës së tij kriminale në mënyrë objektive dhe kritike”.

Kështu ka shkruar një prej mediumeve më të pavarura dhe më profesionale serbe, “Danas”, të premten e 30 korrikut.

Danas shkroi se kjo fushatë e egër ndaj tyre ka arritur kulmin e manipulimit me opinionin publik, duke u akuzuar se po synojnë të shkaktojnë trazira në vend.

Por edhe vetë ministri i Policisë së Serbisë, Aleksandër Vulin, u dha goditje të gjithë zërave kritik medialë me një deklaratë që jehon zërat e këtyre tabloidëve.

“Kriminelëve dhe atyre që ua bartin mesazhet atyre dhe i paraqesin si të vërteta, është e paramendueshme dashakeqësia e tyre dhe dëshira e tyre për hakmarrje kundër atyre që luftojnë kundër mafias, pas “KRIK”-ut dhe “NewsMax Adria”, tash edhe “NIN” është përfshirë në sulmet kundër meje dhe Vuçiçit”, ka deklaruar Vulin.

Drejtori i lajmeve dhe programeve të “NewsMax Adrias”, Sllobodan Gjorgjeviç, i ka shkruar “Danas”-it se krejt çka mund të lexohet kohëve të fundit ka vetëm një qëlllim.

“Të mbulojë veprimet e këqija të qeverisë, zhvatjen e parave të taksapaguesve me punën e bërë në Telekom, marrveshjet e fshehta për shfrytëzimin e litiumit, por edhe të mbulohet fakti se klani i Bellivukut u ushqye nga njerëz përbrenda BIA-s dhe policisë”.

“Ajo që shkruajnë tabloidët nuk do të kishte ndonjë vlerë dhe domethënie nëse nuk do të ishte e njëjta gjuhë që përdor Vuçiç me bashkëpunëtorët e tij. Është një gjuhë fyerjesh dhe kërcënimesh që kemi dëgjuar për 30 vjet, që kur radikalët ishin në Serbi, dhe progresistët janë vetëm një nga format e radikalëve”.

“A është e rrezikshme? Epo, është, sepse, ne shohim, për shembull, në rastin e inspektorit Dejan Joviç, të cilit Vuçiç dhe tabloidët i kërkojnë falje sot, kur dikur së bashku e akuzuan atë si një polic të ndyrë, e arrestuan dhe e gjykuan për asgjë”, përfundoi Gjorgjeviç

Ndër të tjera Gjorgjeviç tha për Danas se tash vetëm “presim të na ‘disiplinojnë’ në mënyrë që ndershmëria dhe intergriteti i Vuçiçit të mos vihet në pikëpyetje”.

Mediumi serb “NewsMax Adria” ditën e hënë ka bërë të ditur se ka siguruar qasje në deklaratat e dhëna në polici të Marko Milljkoviç, kolegut kriminal të Veljko Bellivuk, ku edhe ai thuhet të ketë deklaruar në polici se ka takuar Aleksandër Vuçiçin, dhe Aleksandër Vulinin, përmes gjyshit të tij Svetozar Vujaçiç, që është këshilltar i ministrit të brendshëm të Serbisë.

“NewsMax Adria” raporton se Milljkoviç ka thënë se me ministrin serb Vulin është takuar në një klub nate të quajtur Gotik në rrugën Karagjorgjeva, dhe me Vuçiçin në një apartment në Zvezdarë, të njëjtin aparment që përmendet edhe nga Belivuk për të cilën kishin raportuar gazeta investigative KRIK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore