Lajme

Reçica, Hajdarit: E ke dëmtuar 1 milion euro buxhetin e shtetit


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ilmi Reçica dhe ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ilmi Reçica e ka akuzuar ministren e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, për dëmtimin e buxhetit prej 1 milionë euro.

Ai përmes një dokumenti të siguruar ka bërë të ditur se ministrja ka blerë grurë me një çmim më të lartë sesa që ishte.

“Ke blerë grurë ta kam thënë edhe në pyetje parlamentare. Në kohën kur në BERZ gruri ka qenë 38 cent e ke blerë me 48 cent, 10 mijë ton e ke dëmtuar për 1 milion buxhetin e shtetit”.

Reçica gjatë prezantimit të faturës së kompanisë turke kërkoi nga Hajdari, që “ta pranoj se ka gabuar” dhe të “largohet për në shtëpi”, në rast se dëshiron të mirën e Qeverisë.

“Unë kisha bërë ftesë shumë të sinqert me mbyll këtë debat dhe me dhanë dorëheqje ministrja Rozeta Hajdari. E di që shpesh ka presione për të dhënë dorëheqje, por më duket që ministre ti ke presion shumë të madh për të mos dhënë dorëheqje, qysh kanë edhe disa homolog këtu edhe disa institucione të tjera”.

Sipas tij, “kjo është mënyra se si mund ta shpëtosh vetën dhe shpëton edhe këtë parlament që të mos diskutohet tutje”.

Teksa, ministres i ka përmendur edhe aksidentin që i kishte shkaktuar lëndime një fëmije.

“Aksidenti të cilin e ke shkaktuar dhe gati se tekstualisht ke deklaruar që fëmija e ka shkel veturën e jo vetura që ti ke qenë duke vozitur, fëmijën, vërtetë është e tmerrshme. Kjo tregon për nivelin që keni ju”.

Gjithashtu, ka kritikuar ministren edhe për mosraportimin e rezerva shtetërore.

“Çështje tjetër janë edhe shpenzimet në vitin 2022, kabineti juaj i ka pasur 200 mijë euro shpenzime, plus këto që i deklarove tash këtu. Të lutem, arsyetoj shpenzimet sepse ndoshta t’u kanë përzier tash duke i ndërruar këta sekretarë, nuk ka ndodhur për të gjitha mandatet të qeverive të ndryshme të ndërrohen të gjithë ata sekretarë”.

“Ju duhet ta bëni të kundërtën të pranoni që janë rritur importet në kohën kur ju jeni duke qeverisur, nuk thuhet kot se brenda 100-ditëshit në secilin shtet vlerësohet puna e një qeverie”.

“Nuk ke raportuar për rezervat shtetërore të mallrave në Kuvend është obligim ligjor”.

Ndërsa, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari ka reaguar ndaj Reçicës dhe deklaratës së tij duke thënë se, “po më befasoni”.

“Ju asnjëherë nuk jeni kujdesur as për rezerva shtetërore dhe as për blerjen e rezervës shtetërore. Ne kemi gjetur rezervën shtetërore të vjedhur nga qeverisja juaj. Ne kishim bërë thirrje në vitin 2022 tri thirrje për t’u furnizuar me grurë dhe kompania e cila na ka furnizuar ka qenë kompani e tregtisë, e turizmit dhe shumë resurse tjera”.

“Unë nuk kam mundur direkt ta marrë grurin në fushat e Ukrainës, Polonisë apo Francës. Por, duhet të jetë gjithmonë një tregtarë apo një ndërmjetësues”.

Seanca në Kuvendin e Kosovës, është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës që nga nëntori i 2022, për shkarkimin e ministres, Rozeta Hajdari.

Kjo me arsyetimin se PDK-ja konsideron që ministrja “ka bërë një sërë shkeljesh” për pozitën që ka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore