Kampionate

Real Madrid, klubi i parë që tejkalon 1 miliard euro të ardhura


(Getty)

Një rekord i ri për Real Madrid-in. Këtë herë nuk bëhet fjalë për kampionate të fituara apo Champions League të ngritura në qiell, por po kalojmë në fushën ekonomiko-financiare. Klubi nga kryeqyteti spanjoll është i pari në histori që ka regjistruar të ardhura që kalojnë 1 miliard euro.

Në mënyrë të detajuar, siç theksohet nga klubi në një shënim, të ardhurat për vitin financiar 2023-24 “arritën shifrën prej 1,073 miliardë euro, me një rritje prej 230 milionë euro (+27%) krahasuar me vitin financiar 2022-23”.

Në këtë vit financiar, ndonëse stadiumi “Santiago Bernabeu” nuk ishte ende plotësisht funksional, klubi arriti të kapërcejë pragun e 1 miliard eurove në të ardhura operative, një shifër që nuk e ka arritur kurrë asnjë klub tjetër futbolli.

Të gjitha linjat e biznesit të “Los Blancos” shënuan rritje, me përjashtim të asaj që lidhet me të drejtat televizive, ku të ardhurat e regjistruara nga La Liga në 2023-24 ishin më të ulëta se ato të 2022-23.

Në veçanti, bien në sy rritja e të ardhurave të marra në nivel marketingu dhe stadiumi. Për sa i përket aktivitetit tregtar, gjatë vitit financiar 2023-24 klubi forcoi ndjeshëm aktivitetet e tij tregtare dhe sponsorizuese, veçanërisht duke mirëpritur sponsorin e ri “HP”.

Për sa i përket stadiumit, edhe pse punimet për rinovimin nuk kanë përfunduar ende, ka pasur një disponueshmëri më të madhe të objektit për sa i përket kapacitetit dhe shfrytëzimit tregtar gjatë vitit.

Raporti ndërmjet të ardhurave dhe kostove ishte 47%, duke u përmirësuar me 7 % krahasuar me një vit më parë (54%) pavarësisht ndikimit të fitimit të titujve sportivë (dhe për rrjedhojë më shumë shpërblime në nivel të personelit të regjistruar).

Pa marrë parasysh këtë ndikim, vlera e raportit në 2023-24 do të ishte 44.5%, më e ulëta e arritur nga klubi në vitet e fundit.

Vlera e regjistruar nga Real Madrid-i është më pak se 50%, e konsideruar si niveli i përsosmërisë dhe shumë nën vlerën e 70%, që është niveli maksimal i rekomanduar nga ECA (Shoqata e Klubeve Evropiane).

Nëpërmjet rritjes së të ardhurave dhe kontrollit të shpenzimeve, Real Madrid-i ka arritur gjatë 20 viteve të fundit, edhe në vitet e prekura nga urgjenca Covid, të mbajë nën kontroll nivelin e raportit, nën atë të rekomanduar nga ECA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore