Sport

Real Madrid-i përgatit tetë largime në merkaton e janarit


Florentino Perez dëshiron të krijojë hapësira të reja në skuadrën e Real Madrid-it. Tekniku, Carlo Ancelotti ka përgatitur listën me tetë emra të cilët janë jashtë planeve të tij.

Sipas mediave spanjolle, madrilenët kanë nisur punën për spastrimin e ekipit. Katër sulmues, dy mesfushorë dhe dy mbrojtës janë me “valixhe” gati, për të lënë “Santiago Bernabeu”-n.

Sulmues

Eden Hazard, Gareth Bale, Luka Jovic dhe Mariano Diaz janë katër emrat e sulmit që pritet të largohen. Tre të parët deri më tani kanë rezultuar dështime në merkato.

Hazard që nga koha e mbërritjes në Madrid ka qëndruar më shumë jashtë fushave për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme. Për të priten edhe oferta huazimi.

Bale gjithashtu ka pësuar shumë dëmtime dhe niveli i tij ka qenë gjithnjë e në ulje. Uellsiani po pret ofertë nga Premier League.

Jovic pritet të huazohet përsëri, pasi nuk po merr minuta në Madrid. Ofertat për të nuk mungojnë, përsa i përket huazimit.

Diaz është emri tjetër që do të largohet. Domenikani nuk ka mundur të lërë gjurmë as këtë fillim sezoni me “të bardhët”.

Mesfushorë

Isco Alarcon dhe Dani Ceballos janë dy emrat e këtij reparti që pritet të largohen. Të dy mund të largohen në huazim, nëse nuk vjen një ofertë bindëse për ta. Për Isco ka interes nga Milan-i. Ceballos ndiqet nga Real Betis-i dhe Roma.

Mbrojtës

Jesus Vallejo dhe Nacho Fernandez janë dy emrat e tjerë. I pari u mor si një nga talentet më të spikatur spanjoll në mbrojtje, por shumë shpejt e humbi shkëlqimin. Ai nuk e ka treguar veten se mund të luaj në nivele kaq të larta.

Nacho ka qenë përherë një rezervë e mirë për Real-in. Por, duket se epokës së tij te madrilenët, klubi në të cilin ka një jetë qe aktivizohet, që nga akademia, po i vjen fundi. Jose Mourinho e ka kërkuar te Roma.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore