Sport

Real Madrid do ta rinovojë kontratën me Vinicius, pagë dyfish dhe klauzolë 1 miliard euro


Vinicius Junior ishte një nga lojtarët më të mirë të Real Madrid-it në sezonin e kaluar.

Drejtuesit e klubit madrilen dëshirojnë t’ia rinovojnë kontratën brazilianit, e cila i skadon në vitin 2024.

Sipas asaj që raporton gazeta “Marca” kontrata do të rinovohet në 10 ditët e ardhshme dhe Real-i dëshiron ta zgjasë atë deri në vitin 2028.

Mirëpo, braziliani dëshiron që rinovimi i kontratës të jetë për një ose dy vite më i shkurtër sesa ajo që ia propozuan drejtuesit e klubit.

Gjithashtu edhe paga e sulmuesit do të rritet ndjeshëm, më shumë se dyfishi i asaj që fiton aktualisht, në përputhje me shpërthimin e tij dhe rëndësinë që i jepet në ekip.

Nga 3.2 milionë euro në sezon sa përfiton aktualisht, në kontratën e re Vinicius do të ketë një pagë vjetore prej 10 milionë euro, në varësi edhe të disa kushteve.

Ajo që bie në sy, është edhe klauzola e lirimit të kontratës. Sipas mediumit të lartcekur ajo do të shkojë nga 350 milionë euro në 1 miliard sosh.

Pra, në këtë mënyrë, klubi mbretëror dëshiron që ta bëjë të paprekshëm brazilianin në vitet e ardhshme.

Në këtë mënyrë, Vinicius Jr do të vazhdojë luajë në klubin ku shpërtheu në sezonin e fundit, ku përfundoi si futbollisti i tretë me më shumë minuta (4274, vetëm pas Eder Militao dhe Thibaut Courtois).

Ai gjithashtu ishte golashënuesi i dytë më i mirë në ekip në sezonin e kaluar me 22 gola dhe asistuesi më i mirë me 20 sosh.

Kujtojmë që Vinicius është pjesë e Real-it që nga vera e vitit 2018, kur u transferua nga skuadra braziliane, Flamengo, për shumën e 45 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore