Përballje

Real Madrid dhe Athletic Bilbao përballen për të katërtën herë, tani në Kupën e Mbretit


Athletic Bilbao dhe Real Madrid do të përballen përsëri këtë sezon.

Kjo është hera e katërt që këto dy skuadra përballen këtë sezon, në një periudhë prej vetëm 60 ditësh.

Këtë herë, dy skuadrat luftojnë për të siguruar një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit.

Tri herët e kaluara, fituese doli Real Madrid-i.

Madrilenët fituan dy herë në ligë – 1:0 në Santiago Bernabeu dhe 1:2 në San Mames.

Pas La Liga-s, skuadrat luftuan për trofeun e parë të sezonit, Superkupën e Spanjës që u zhvillua në arabi.

Edhe aty, madrilenët ishin fitues, këtë herë me rezultat 2:0, falë golave të Luka Modric dhe Karim Benzema.

Ky i fundit do të jetë mungesa e madhe e Real Madrid-it sonte, teksa mbretërorët udhëtojnë për herën e dytë në San Mames.

Përveç Benzema-s, Ancelotti do të ketë jashtë edhe disa futbollistë nga Amerika e Jugut, që ishin në detyrë me kombëtaren deri dje.

Bilbao në anën tjetër, do të ketë një skuadër të plotë në këtë ndeshje.

Kjo ndeshje fillon në orën 21:30, kurse pak më herët zhvillohet edhe çerekfinalja tjetër.

Në “La Reale Stadium”, me fillim në orën 20:00, Real Sociedad e pret Real Betis-in.

Të dy skuadrat po kalojnë formë shumë të mirë në La Liga, dhe sonte me një fitore kërkojnë që të njëjtën ta bëjnë edhe në Kupën e Mbretit.

Fituesit e këtyre dy takimeve do të kompletojnë katërshen gjysmëfinaliste së bashku me Rayo Vallecano-n dhe Valencia-n.

Shorti për gjysmëfinalet tërhiqet më 4 shkurt me fillim në orën 12:30.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore