Reagon Nikolla Gruevski pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA-të

SHFLETO

Nikolla Gruevski, Ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut

 

albanianpost
12.04.2022 8:05
Loading Icons...

“Ajo që u publikua sot është folur prej kohësh”, ka deklaruar Ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, me një shkrim në Facebook, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit futi në listën e zezë si i dyshuar për përfshirje në korrupsion të madh.

“Zyrtarët e lartë në Maqedoni nuk fshihnin në qarqe joformale se kishin vite që lobonin që të ndodhte e njëjta gjë”.

“Përpjekjet e mia shumëvjeçare për ta zgjidhur çështjen e emrit në një mënyrë të ndryshme nga ajo që u zgjidh përfundimisht, vendimet që lidhen me krizën e emigrantëve dhe mbylljen e korridorit ballkanik në vitin 2016 dhe disa vendime të tjera për të mbrojtur shtetin, interesat kombëtare, interesat e Maqedonisë ka acaruar disa vende dhe ka tërhequr shumë kundërshtarë, si George Soros, i cili bëri shumë përpjekje dhe fonde për të rrëzuar qeverinë që unë drejtova”.

“Më vjen keq për vendimin e Departamentit të Shtetit që njoftoi sot dhe ndër të tjera më referohet mua”.

Gruevski, i konsideron të pasakta akuzat me të cilat Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja e ka akuzuar.

“Janë informacione të pasakta ndaj të cilave ata janë dorëzuar dhe kryesisht rrjedhin nga përndjekja e gjatë politike kundër meje në Maqedoni. Nga ky aspekt, edhe pse nuk kam asnjë pronë në SHBA, ndjej një padrejtësi të madhe, sepse kam punuar me shumë ndershmëri dhe me shumë përgjegjësi, duke luftuar për interesat shtetërore dhe kombëtare dhe jam përpjekur me aq sa kam mundur të mos i rrezikoj interesat e aleatëve të Maqedonisë, unë kurrë nuk kam punuar për përfitime personale financiare apo materiale.  Unë do të vazhdoj të luftoj për të zbuluar të vërtetën”.

“Unë do të vazhdoj të luftoj për Maqedoninë”, ka përfunduar Gruevski.

Sipas Departamentit të Shtetit, Nikola Gruevski akuzohet për shmangien e vazhdueshme të arrestimit të tij për akuza të lidhura me korrupsionin.

“Gjë e cila paraqet një pengesë serioze për llogaridhënien për korrupsionin dhe aktivitetet e lidhura me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut”, shkruan Departamenti i Thesarit.

Gruevski, sipas autoriteteve amerikane, ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion.

Ai akuzohet se ka përvetësuar prona publike, ka shpronësuar prona private për përfitime personale, ose qëllime politike dhe ka marrë ryshfete.

Akuzat për porositje të dhunës

Në shtator të 2020-ës, Gruevski dhe ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, u shpallën fajtor për porositje të dhunës.

Sipas akuzës, ish-kryeministri e kishte porositur Mile Janakieskin që të organizojë sulm ndaj ish-këshilltarëve të opozitës së atëhershme LSDM.

“Më vjen keq për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit”, ka nisur reagimin në llogarinë e tij në Facebook edhe Sasho Mijalkov, ish-shef i kundërzbulimit në Maqedoninë e Veriut, pas vendimit që SHBA ta rangoj në listën e të padëshiruarëve.

Mijalkov dhe ish-kryeministri i vendit Nikola Gruevski janë futur në “listën e zezë” nga Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja, për veprime të kundërligjshme.

“Dhe mendoj se nuk është i drejtë”, ka vazhduar Mijalkov edhe pse në përshkrimin e Departamentit të Shtetit, përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese, këta persona kanë kërcënuar stabilitetin e rajonit.

“Vendimi bazohet në ndërtime dhe dezinformata që me kalimin e kohës do të rezultojnë të paqëndrueshme. Unë gjithmonë i kam mbrojtur dhe do t’i mbroj interesat e Maqedonisë. Besoj se drejtësia do të fitojë dhe vendimi i administratës amerikane do të korrigjohet”, ka përfunduar Mjalkov.

Ndërkaq Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka sanksionuar ish-deputetin Aqif Rakipi dhe biznesmenin Ylli Ndroqi.

Sipas Departamentit Amerikan, përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese, ata kanë kërcënuar stabilitetin e rajonit.

Nga politika malazeze, SHBA-të kanë ndaluar të hyjë në shtetin amerikan, ish-presidentin Svetozar Maroviç e shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi nga viti 2003 deri në 2006.