Shqipëria

Reagon kreu i Policisë Shkodër pas akuzave të Bardhit: Janë shpifje, do ta kallëzoj penalisht


Kreu i Policisë Shkodër, Edmond Sulaj, ka reaguar lidhur me akuzat e bëra nga kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, ku ai pretendon se Sulaj figuron në përgjimet e rrjetit SkyECC, duke thënë se të gjitha janë shpifje dhe se do ta kallëzojë penalisht deputetin demokrat.

Bardhi iu referuar komunikimeve në SkyECC dhe Encrochat, duke këmbëngulur se dokumentetet janë në dosjet e SPAK.

Në një reagim lidhur me çështjen, Sulaj ka sqaruar opinionin rreth situatës:

“Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësues i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cenojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.

Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.
Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal”.

Nga ana tjetër, sipas ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, jo vetëm që këto akuza nuk qëndrojnë, por Sulaj është një “oficer model”.

Akuzat e Bardhit rreth kreut të Policisë Shkodër marrin përgjigje nga të majtët: Të pavërteta, oficer model

Kështu përmendi ai gjatë seancës plenare të 12 shtatorit.

“Zotëria ‘Mondi’ është me gradën drejtues i parë dhe mban postin e drejtorit të Policisë në Shkodër. Kam punuar me Edmond Sulajn dhe është një nga oficerët në karrierë, që ka treguar aftësi dhe integritet gjatë gjithë karrierës së tij. Ai ka 27 vite punë. Sulaj ka marrë detyrën në vitin 2023. Sulaj u zgjodh sipas meritës me konkurs”, ka artikuluar Hoxha.

Ndërkohë, vetë Bardhi i është përgjigjur me akuza ministrit, duke e etiketuar atë si një “zëdhënës” të biznesmenit Pëllumb Gjoka, i cili ka rënë në rrjetën e Prokurorisë së Posaçme SPAK për një sërë çështjesh.

“Nuk i dija që Pëllumb Gjoka ka shtuar zëdhënësit. Ndryshuat edhe ligjin, për të emëruar kreun e Gardës”, ka thënë Bardhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore