Lajme

Reagon Krasniqi: S’dorëzohemi para fashistëve të vegjël


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar ashpër nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, pas ndëprerjes së ndeshjes Rumani – Kosovë si pasojë e thirrjeve nacionaliste të tifozëve rumunë “Kosova është Serbi”.

Lideri i PDK-së, i cili ka qenë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kur Kosova është anëtarësuar në UEFA dhe FIFA, ka thënë se slloganet dhe koret fashiste të tifozëve rumunë të nxituar nga ata serbë, nuk mund të ndryshojnë realitetin e shtetit të pavarur Kosovës.

“Që nga 17 shkurti i vitit 2008, Kosova është shtet i pavarur, ndërkaq, që nga 3 maji i vitit 2016, Kosova është anëtare me të drejta të plota në UEFA. Slloganet politike, koret fashiste, fishkëllimat e sharjet drejt djemve tanë dhe Kosovës në Rumani – nuk na ndalin”, tha Krasniqi.

“Kosova, si shtet dhe si kombëtare futbollistike, do të paraqitet me krenari gjithandej nëpër botë, edhe ku nuk na duan e posaçërisht aty. Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe nuk dorëzohemi para fashistëve të vegjël turbofolk. E përjetshme është Kosova!”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Prania e rasteve ku futbolli e ka kapërcyer sportin dhe ka marrë ngjyrime nacionaliste është e bollshme, veçanërisht nëpër arenat sportive të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, aty ku zakonisht zhduket hapësira ndërmjet reales dhe imagjinares.

Edhe në të kaluarën ka pasur mesazhe urrejtje tmerruese kundër shqiptarëve dhe Kosovës, ndërsa thirrjet nacionaliste dhe irredentise serbe sikurse ajo “Kosova është zemra e Serbisë” gjejnë ende mënyra për t’u shfaqur, madje edhe në një vend anëtar të Bashkimit Evropian (BE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore