Lajme

Reagon AUVK-u: Kompanisë “Apetit sh.p.k” i ndalohet eksporti – e shiti mishin e Brazilit për të Kosovës


Foto: Albanian Post.

Pasi u konfirmua se kompania kosovare “Apetit sh.p.k” ka blerë mish nga Brazili dhe atë e ka shitur në Shqipëri si mish me origjinë nga Kosova, duke falsifikuar dokumentet në bashkëpunim ilegalë me inspektorë të shtetit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për biznesin e lartcekur.

“Është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin (gjurmushmërin/përputhshmërinë) e të gjitha hyrje daljeve të biznesit për të vërtetuar dyshimin e ngritur. Po ashtu janë informuar edhe autoritete tjera qe merren me taksat (doganat, ATK)”, ka thënë zëdhënësi i AUVK-së, Lamir Thaçi, në një përgjigje të shkruar për Albanian Post.

Thaçi, ka treguar se tani do të fillojë hetimi për të gjurmuar “për pjesën e mandatit të tyre dhe në të njëjtën kohë do e mbështesim njëra tjetrën, me të dhënat rreth të gjeturave qe burojnë nga kontrollet e detajuara”.

“Pas kompletimit të plotë të hulumtimit do të ju mbajmë të informuar mbi të gjeturat”.

Ai megjithatë ka theksuar se “në këtë fazë nuk mund të pre-supozojmë veprimet, ato do të ndërmerren konform të gjeturave”.

Derisa ka siguruar se “secili i përfshirë në veprime të kundërligjshme do të përballet me masat ndëshkimore të përcaktuara me ligj”.

Me të dhëna të plota AUVK ka premtuar se do të dal pas hulumtimit të plotë të rastit.

“Po ashtu mbi secilën masë ndëshkimore qe vendoset për secilën palë të involvuar do paraqesim shkeljet nëse vërtetohen. AUV nuk do ta amnistoj asnjë punonjës për të cilin vërtetohet se ka bërë shkelje”, thotë përgjigja e Thaçit.

Ky skandal u bë publik fillimisht nga emisioni Stop në Shqipëri.

Çfarë ka ndodhur?

Kompania me bazë në Kosovë “Apetit sh.p.k” blen mish nga Brazili, i cili vjen fillimisht në Shqipëri e që për destinacion final ka Kosovën.

Kur kjo kompani e merr mishin nga Brazili, përmes lidhjeve ilegale dhe korrupsionit në Agjencinë Shtetërore të Kosovës për Ushqim dhe Veterinari, që është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, i heq vulat e Brazilit dhe i zëvendëson me vula të shtetit të Kosovës.

Më pas këtë mish e shet në Kosovë, por edhe e eksporton në Shqipëri.

Vetëm në vitin 2023 kishte rreth 600 tonë mish të eksportuar në Shqipëri nga Kosova.

Ky mish eksportohet si “mish vici i freskët i Kosovës”.

Në paketime vendosen vula të Kosovës me data fiktive, se kinse gjethet janë prerë vetëm para një muaji në Kosovë.

Këtë skandal fillimisht e zbuloi emisioni Stop në Klan të Shqipërisë.

Për t’u kryer ky operacion kriminal duhet të funksionojë një zinxhir i tërë i mashtrimit, nga pjesa e veterinarit që nuk bën kontroll të gjetheve të prera, te inspektori i AUVK-it, në Doganën e Kosovës e deri te pranuesi në Shqipëri.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore