Sport

Rashford rinovon kontratën me Manchester United


Marcus Rashford e ka rinovuar kontratën me klubin e tij, Manchester United.

Sipas asaj që shkruan gazetari i njohur italian, Fabrizio Romano, Rashford tashmë e ka rinovuar kontratën, derisa njoftimi zyrtar i klubit pritet të bëhet së shpejti.

Sipas Romano-s, kontrata e re do të jetë e vlefshme deri në verën e vitit 2028, derisa mediat angleze raportuan më herët se ylli anglez do të ketë një pagë dukshëm më të lartë se sa ajo që përfitoi deri më tani.

Kujtojmë që 25-vjeçari është pjesë e klubit që nga viti 2016, kur u bashkua nga Manchester United U18.

Deri më tani ai ka zhvilluar 359 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e United, prej të cilave ka shënuar 123 gola dhe ka dhuruar 68 asistime.

Sidomos sezoni i fundit ishte tejet i mirë për Rashford-in, i cili kontribuoi me 30 gola dhe 11 asistime në 56 ndeshje në të gjitha garat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore