Kosova

Raportuesja e APKE-s për të burgosurit politikë i bën thirrje Serbisë ta ndalojë torturën ndaj Sandulloviçit


Sunna Ævarsdóttir

Raportuesja e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për të burgosurit politikë, Sunna Ævarsdóttir, lëshoi të hënën një deklaratë për dhunën brutale të ushtruar nga shërbimet sekrete serbe ndaj politikanit serb, Nikolla Sandulloviç, ku kërkoi nga Serbia ta ndalojë torturën dhe format e tjera të keqtrajtimit ndaj oponentëve politikë.

“U trondita kur dëgjova për gjendjen në të cilën Sanduloviç u kthye në shtëpi – pjesërisht i paralizuar dhe i transportuar nëpërmjet një barele. Pavarësisht plagëve të dukshme, ai u mbajt në paraburgim për 30 ditë dhe u akuzua për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore ose fetare”, deklaroi fillimisht Ævarsdóttir nëpërmjet një deklarate të publikuar në faqen e APKE-s.

Ajo u ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të respektojnë detyrimet e tyre që burojnë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), veçanërisht duke kryer një hetim të shpejtë, efektiv dhe të pavarur mbi akuzat serioze për keqtrajtimin e Sandulloviçit nga agjentët shtetërorë të Serbisë dhe duke i garantuar akses në kujdesin e duhur mjekësor.

“Ndalimi i torturës dhe formave të tjera të keqtrajtimit, si dhe liria e shprehjes, janë vlera themelore në çdo shoqëri demokratike. Pres që autoritetet serbe të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, shtoi ndër të tjera Ævarsdóttir.

Gjithçka dyshohet se ndodhi për shkak të një postimi në “X” disa ditë më parë, ku kreu i Partisë Republikane të Serbisë (RS) riktheu në fokus vizitën e tij në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke shprehur ngushëllime në emër të popullit serb për vrasjen e mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari nga ushtria dhe policia serbe në mars të vitit 1998.

Sanduloviç citohet të ketë thënë se në mesin e personave që kanë ushtruar dhunë, ka arritur ta identifikojë politikanin dhe biznesmenin kontravers serb, Millan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin e armatosur terrorist më 24 shtator në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore