Shqipëria

Vrasja në Laknas/ Shkak një kanalizim i ujërave të zeza, autori e kishte armën pa leje


Shefi i komisariatit në Kamëz, Oliger Torba, ka dhënë detaje mbi vrasjen e ndodhur këtë të enjte të 30 nëntorit në Laknas.

Ai ka treguar se autori është arrestuar në banesë, ndërsa shkak i sherrit që degradoi deri në vrasje ka qenë për shkak të një kanalizimi të ujërave të zeze.

“Autori i ngjarjes Maliq Marku u arrestua në banesën e tij, si dhe është bërë dokumentimi i të gjithë ngjarjes. Rezulton që janë dy të dëmtuar. Shefqet Hasa që ka ndërruar jetë dhe Besim Keça që ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, ka thënë ai.

Sipas Torbës, ata nuk kanë pasur konflikte të mëparshme.

“Çiften e kishte pa leje, u kap nga shërbimet e policisë në banesë. Shkak për sherrin bëhet fjalë për një kanalizim të ujërave të zeza”, ka shtuar ai.

Çfarë ndodhi?

Në Laknas ka ndodhur një ngjarje e rëndë këtë të enjte.

Si pasojë e të shtënave me armë një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur.

Referuar policisë, në rrugën “Fatos Shupi”, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi M. M., rreth 70 vjeç, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. H., rreth 55 vjeç, si dhe ka plagosur shtetasin B. K., rreth 50 vjeç.

Sakaq, shtetasi B. K., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Autori i dyshuar është arrestuar në flagrancë, si dhe është sekuestruar dhe arma e përdorur gjatë krimit.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore