Kosova

Raporti i NATO-s: Deri në vitin 2050 Kosova mund të përballet me mungesë të ujit – ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në punën e FSK-së dhe KFOR-it


Ilustrim

Aleanca Veri – Atlantike, NATO, ka publikuar raportin vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, për ndryshimet klimatike dhe ndikimin i tij në siguri.

Raporti përfshinë edhe Kosovën, ku theksohet se rritja e temperaturave që rrjedhimisht rrisin rrezikun për zjarre, reduktimi i reshjeve të shiut në kombinim me rritjen e popullsisë, janë treguese se deri në vitin 2050 katër nga pesë basenet ujore të Kosovës mund të përballen me stres ose mungesë të ujit, gjë që mund të ndikojë në furnizimin me ujë.

Ndryshimet klimatike, sipas këtij raporti, mund të ndikojnë në punën e aktorëve të sigurisë në Kosovë në disa mënyra.

“Së pari, rritja e ngjarjeve të lidhura me klimën mund të shtojë kërkesën për FSK-në për të ofruar mbështetje për autoritetet civile. Përveç kësaj, kjo gjithashtu mund të rrisë kërkesën për burime të KFOR-it për të ndihmuar drejtpërdrejt institucionet në Kosovë”, thuhet në raport.

Evropa Juglindore, duke përfshirë Kosovën, është identifikuar, sipas raportit, si një nga “pikat e nxehta të ngrohjes” së planetit.

“Ngrohja e përshpejtuar e atmosferës në rajon po çon në ngjarje ekstreme të motit, si zjarret e vitit 2017 dhe 2022, dhe përmbytje të rënda në Kosovë. Ngjarje të tilla pritet të rriten në frekuencë dhe intensitet. Së bashku me cenueshmërinë socio-ekonomike të Kosovës dhe mjedisin sfidues të sigurisë, ndryshimet klimatike mund të kenë pasoja të dëmshme si për Kosovën ashtu edhe për praninë e NATO-s në terren”, thekson raporti.

Kosova, sipas raportit të NATO-s, përballet me një sërë sfidash në lidhje me mjedisin.

“Krimi mjedisor, si prerja e paligjshme e drurit dhe hedhja e mbeturinave, paraqet sfida të rëndësishme për ekosistemin dhe mjedisin. Këto aktivitete jo vetëm që degradojnë burimet natyrore dhe ekosistemet, por gjithashtu përkeqësojnë ndikimet e ndryshimeve klimatike duke rritur nivelet e ndotjes dhe duke zvogëluar aftësinë e pyjeve për të vepruar si zhytës karboni”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore