Film

Raporti i FBI-së për rastin e filmit “Rust”: Alec Baldwin ka qëlluar


“Nuk do t’i drejtoja kurrë armën dikujt duke e tërhequr këmbëzën, kurrë”.

Kështu ka thënë aktori amerikan Alec Baldwin gjatë një interviste për transmetuesin amerikan “ABC”.

Por ja që e ka bërë.

Kjo konfirmohet nga hetimet e FBI-së që përgënjeshtrojnë Alec Baldwin, i cili gjithmonë ka mohuar të ketë tërhequr këmbëzën në xhirimet e filmit “Rust”.

Veprimi i tij solli vrasjen e drejtoreshës së fotografisë Halyna Hutchins dhe plagosi regjisorin Joel Souza.

Incidenti ndodhi në tetor 2021, kur ekipi po xhironte disa skena aksioni në Bonanza Creek Ranch, Santa Fe, New Mexico.

Aktori po përdorte një pistoletë (Colt kalibër 45) kur plumbi doli dhe e shtëna i mori jetën Halyna Hutchins.

Nëse aktori ka pretenduar gjithmonë se nuk kishte qëlluar, tani hetuesit federalë e mohojnë duke deklaruar se: “Nuk mund të ishte shkrepur pa u shtypur fizikisht këmbëza”.

Megjithatë, mbetet e konfirmuar se bëhet fjalë për një aksident. Ende nuk ka asnjë provë për të mbështetur tezën se arma ishte e mbushur qëllimisht me fishekë të vërtetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore