Përballje

Ramos gjen golin, Paris-i fiton me lehtësi


Nëse një gjë duket pothuajse e sigurt, është që Paris Saint-Germain do të jetë kampion i Francës këtë vit.

Kur kanë mbetur edhe 16 ndeshje deri në fund të sezonit, PSG janë 11 pikë më shumë se vendi i dytë, Nice.

Epërsinë e zgjeruan sonte, me një fitore të lehtë përballë skuadrës së shqiptarëve, Valon Berishës dhe Arbër Zenelit, Reims.

Edhe pse golin e parë e kishin pak të vështirë ta gjenin, më pas asgjë nuk ishte e vështirë për skuadrën e drejtuar nga Mauricio Pochettino.

Goli i parë erdhi në minutën e 44-të, kur skuadrat po bëheshin gati të shkonin në zhveshtore.

Emri i golashënuesit ishte pak i pazakontë, Marco Verratti.

Kurse, në pjesën e dytë, PSG përfundoi punën në 13 minuta.

Gjithçka nisi në minutën e 62-të, kur pas një kaosi në zonë, rrjetën e gjeti Sergio Ramos, për golin e parë me fanellën e kryeqytetasve.

Katër minuta më vonë, rrjeta u tund përsëri, me Faes që gabimisht e dërgoi topin prapa krahëve të portierit të tij.

Kurse, kjo seri përfundoi në minutën e 75-të, kur Danilo shënoi për 4-0 pas asistimit të Kylian Mbappe.

Deri në fund asgjë nuk ndryshoi, me PSG-në që ka 53 pikë pas 22 ndeshjeve.

Reims mbetet në vendin e 14-të, ende të qetë sa i përket luftës për mbijetesë, që mbetet edhe synimi i tyre kryesor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore