Kosova

Ramadani: VV-ja vendosi apartheid politik në vend – monstrum që përndjek e terrorizon qytetarët dhe komunat


Shkodran Ramadani

Studiuesi dhe sociologu kosovar, Shkodran Ramadani, ka dhënë opinionin e tij mbi debatin e fundit për ndarjet e planifikuara buxhetore për komunat për vitin 2024 të nisur në fillim nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP), ku Qeveria e Kosovës është fajësuar se ka favorizuar në masë të madhe komunat që drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) në pushtet.

Ramadani, nëpërmjet një postimi të gjatë në “Facebook” të enjten, përveç se e ka cilësuar “ndarje të paprecedentë buxhetore” planifikimin buxhetor të ekzekutivit, ka konsideruar se VV-ja ka vendosur “apartheid politik” në Kosovë duke anashkaluar komunat tjera, ndërsa ka shtuar se partia në pushtet i ka ndarë qytetarët në kategori sipas përkatësisë politike.

“Për ata që e njohin me themel këtë parti, nuk është fare befasi që situata ka ardhur në këtë pikë. Trajektorja ka qenë e qartë. Kjo është partia që ka garuar me slloganin ‘KREJT DHE DREJT’, duke e ndarë shoqërinë në ata që votojnë VV-në (të drejtët) dhe ata që nuk e votojnë VV-në (të padrejtët)”, ka shkruar Ramadani, derisa ka vazhduar kritikat ndaj VV-së.

“Ai që në shikim të parë dukej si thjesht një sllogan normal politik, në fakt ishte një projekt politik që në fetusin e tij mbante një përbindësh të pangopur me persekutim të rivalëve, kritikëve e të mosbindurve”, ka shtuar ndër të tjera ai, duke iu referuar faktit që Qeveria e Kosovës, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga VV-ja.

Ramadani ka vlerësuar se nga momenti i ngjitjes së VV-së në pushtet, shteti i Kosovës i është nënshtruar jo vetëm “një propagande të egër gënjeshtrash e linçimesh”, por edhe “një logjike segreguese” që tashmë, sipas tij, ka penetruar çdo praktikë institucionale, përfshirë ndarjet buxhetore.

“Kështu, monstrumi i krijuar me vite, i ndërsyer nga mbështetja masive me votë, sot përndjek e terrorizon qytetaret, komunat e komunitetet që nuk e votuan partinë në pushtet. Ata që nuk gëlltitën dot gënjeshtrat e tyre sot në krahët e tyre bartin nga një shenjë dalluese”, ka nënvizuar ai.

Nga mbi 21 milionë euro për investime kapitale të reja, mbi 13 milionë janë ndarë për katër komunat që i udhëheq partia në pushtet – Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime. Gjilani edhe sivjet mbetet komuna me vlerën më të lartë të investimeve të reja, ndërsa komuna e dytë me vlerën më të lartë të investimeve të reja është komuna e Shtimes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore