Kosova

Ramadani i kundërpërgjigjet Sveçlës: Ikja nga rafalet e armës s’është trimëri, ende të përqeshin


Burim Ramadani

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, i është kundërpërgjigjur Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi që ky i fundit tha se nuk është sulmuar me kallashnikov gjatë vizitës në Liqenin e Ujmanit.

Ramadani, i cili një ditë më parë në një studio televizive bëri këtë deklaratë, pas reagimit të Sveçlës, sërish i ka qëndruar pohimit të tij se në drejtim të kreut të MPB-së është shtënë me kallashnikov, madje i ka thënë se ikja nga gjuajtjet e armës afër barkës nuk mund të komentohet si veprim trimërie e lavdie.

Përmes një postimi në Facebook, Ramadani, duke komentuar reagimin e Sveçlës, tha se “më rrëqethi fryma patriotike e amanetit” të kreut të MPB-së, duke shtuar se “veç nuk e di ku të pati mbetur amaneti gjatë luftës?”, pasi që është raportuar se ministri, duke qenë në uniformë të UÇK-së, kishte ikur nga lufta.

“Besoj që pate dezertuar apo jo? Apo ndoshta trimërisht e ke zbatuar “planin taktik IBSTL”?!”, pyeti ai.

Njëjtë, shtoi ish-kryeinspektori i AKI-së, “më rrëqeth edhe pasioni i një të afërmit tënd që, në emër tënd, guxon të merr në pyetje tjerët. Madje, më rrëqethin edhe ata dëshmitarë që kanë qenë aty dhe s’kanë bërë zë!”.

Por, shton ai, “nuk është tema kjo pjesë!”.

“Dëgjo Xhelal, është me rëndësi që:  Puna ime si IP AKI ka përfunduar me nder dhe me falënderim publik më 21 dhjetor 2022 dhe kurrë e asnjëherë, në asnjë rrethanë dhe me asnjë motiv nuk kam përdorur e nuk do të përdori kurrë atë pjesë të jetës sime”.

Çfarëdo ndërlidhje që tenton ta bësh, iu drejtua Ramadani Sveçlës, “është jo vetëm e pabazë, por edhe e ndyrë në esencë!”

Sepse, sipas tij, “nuk ke asnjë lidhje me atë që kam punuar unë sipas Ligjit dhe mandatit!”. “Tek e fundit, nuk ke Verifikim të Sigurisë ti për të ditur gjë për punën time!”

“Je Ministër i Punëve të Brendshme, por kurrë nuk ke njoftuar nëse i je nënshtruar Verifikimit të Sigurisë, gjë që Ligji e kërkon qartësisht dhe pa asnjë dilemë!”.

Sepse, potencoi ai, “vetëm Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit nuk kanë nevojë për Leje të Sigurisë!”.

“Ti duhesh! Nënshtroju Verifikimit të Sigurisë, sepse shteti duhet të të Verifikojë. Duhet të dihet kush je ti! Jo pse po aludoj gjë, por Ligjit i nënshtrohemi të gjithë njësoj!”.

Ramadani pohoi se për dallim nga Sveçla, në pozitën e zëvendësministrit i ishte nënshtruar Verifikimit të Sigurisë.

Sidoqoftë, sa i përket rastit së sulmit me kallashnikov, ai insiston se nuk ka fabrikuar asgjë, duke iu kundërpërgjigjur drejtpërdrejtë ministrit.

“Besoj se ikja nga rafalet e armës afër barkës nuk mund të komentohet si veprim trimërie e lavdie”, potencoi dhe shtoi “shumë ende të përqeshin me reagimin, fatkeqësisht!”.

Ai e pyeti Sveçlën se edhe “kur po e hap Urën e Ibrit?”, dhe “a e ke këtë amanet?”.

“P.S Bëja sigurimin shëndetësor policëve të Kosovës”, përfundoi ai.

Sveçla: Asnjëherë s’jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit me AK-47

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore