Shqipëria

Rama zyrtarizon shpërblimin prej 5 mijë lekësh për pensionistët


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zyrtarizuar shpërblimin prej 5 mijë lekësh për pensionistët si masë lehtësuese ekonomike.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i Qeverisë, duke cituar publikimin e vendimit të sapo-firmosur qeveritar.

“Lajm i mirë! Kur thosha do të vendosim taksë të jashtëzakonshme për eksportuesit e mëdhenj të energjisë dhe do t’ua shpërndajmë pensionistëve në prill, ata që ju e dini kush janë, bërtisnin ky është tatimi i jashtëzakonshëm komunist…kjo është një tjetër masë lehtësuese për ta pas Pakos së Madhe, po nuk është e fundit, sepse ne nuk bëjmë dot sa duam për më të moshuarit, por nuk do të lemë kurrë pa bërë gjithçka mundemi”, njoftoi Rama.

Tre ditë më parë, ai zbuloi se ky shpërblim do t’u shpërndahej pensionistëve në muajin prill.

Kjo, pasi Qeveria kishte miratuar gjithashtu një plan ambicioz për rritjen e pagave.

“Jemi në kushtet kur mund t’ju themi edhe pensionistëve se zotimin për të shpërndarë drejt tyre taksën e jashtëzakonshme që vumë mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë do ta mbajmë sikundër e thashë dhe më parë por sot s’kemi veç zotimin e përgjithshëm, por edhe informimin konkret se për pensionistët, do të ketë 5 mijë lekë në drejtim të tyre bashkë me pensionet që do të marrin herën e ardhshme”, tha Rama.

Numri një i Qeverisë deklaroi se do i qëndrojë zotimit për rritjen e pagës së mjekëve dhe të infermierëve me 7% këtë vit, ndërkohë që mjekëve specialistë iu rrit me 50 mijë lekë.

Rama theksoi se Qeveria po synon që paga mesatare të shkojë në 900 euro.

I pyetur nëse kjo është në shkelje të Kodit Zgjedhor, Rama tha se këto vendime nuk kanë të bëjnë aspak me shkelje, pasi ky është një premtim i zotuar shumë kohë më parë.

Sipas tij, diçka e tillë as nuk duhet të kalojë nëpër mend kur pensionistët “kanë dhënë më shumë se të gjithë dhe në këtë histori ndryshimi kanë marrë më pak”.

Sa i takon pagës minimale, Rama tha se ajo do të ketë sërish një rritje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore